Turizmi dhe agroturizmi në Shqipëri kanë tërhequr numër të ndjeshëm të turistëve vendas dhe të huaj gjatë 5 viteve të fundit, ku vetëm gjatë vitit 2023, sipas INSTAT, ky sektor pati një rritje të ardhurash me 30%.

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici u shpreh se, lehtësitë fiskale dhe instrumentet mbështetës që ka adresuar qeveria për agroturizmin, synojnë ta çojnë më përpara këtë sektor.

Në një prononcim për ATSH-në, Civici tha se mbështetja financiare për agroturizmin ka ardhur në rritje. Sipas tij, në vitin 2021 ka qenë 3.1 miliardë lekë, në 2022, u financuan 5.1 miliardë lekë, në 2023 ishte 5.2 miliardë lekë dhe në vitin 2024 do të ketë shumë më e lartë.

Sipas tij, për të nxitur zhvillimin e këtij sektori, në bashkëpunim edhe me ekspertët e huaj, është hartuar strategjia për agroturizmin, një dokument që do të ndihmojë dhe lehtësojë të gjithë sipërmarrësit e këtij sektori.

“Strategjia bazohet në dy drejtime kryesore: gjithëpërfshirje dhe diversifikim”, u shpreh ai.

“Gjithëpërfshirje në kontekstin e njerëzve të cilët do të vetëpunësohen dhe diversifikim pra gratë dhe të rinjtë të cilët janë kryesisht ata që vuajnë më shumë punësimin në zonat rurale dhe diversifikim në kontekstin e shërbimeve që do të afrohen”, theksoi Civici./ata