Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara (OKB) ka paralajmëruar SHBA-në të “qëndrojë larg” nga konflikti midis Iranit dhe Izraelit pasi Teherani nisi një sulm ajror kundër Izraelit.
“I drejtuar në fuqinë e nenit 51 të Kartës së OKB-së lidhur me mbrojtjen legjitime, veprimi ushtarak i Iranit ishte në përgjigje të agresionit të regjimit sionist kundër objekteve tona diplomatike në Damask. Çështja mund të konsiderohet e përfunduar. Megjithatë, nëse regjimi izraelit bën një gabim tjetër, përgjigja e Iranit do të jetë dukshëm më e ashpër. Është një konflikt midis Iranit dhe regjimit mashtrues izraelit, nga i cili SHBA-ja duhet të qëndrojë larg”, shkroi misioni në platformën sociale X.
Pasi Irani nisi sulmin e tij, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, tha se mbështetja e SHBA-së për sigurinë e Izraelit është "e hekurt".
"SHBA-ja do të qëndrojë me popullin e Izraelit dhe do të mbështesin mbrojtjen e tyre kundër këtyre kërcënimeve nga Irani", tha Watson.
Presidenti amerikan, Joe Biden, po takohet aktualisht me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mbi zhvillimet./aa