Në 100-vjetorin e lindjes të studiuesit dhe akademikut të shquar, Jup Kastrati, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mbajti në mjediset e saj një takim përkujtimor. Mes studiuesve e gazetarëve pjesëmarrës, ishte e pranishme dhe bija e akademikut, Diana Kastrati, drejtuese e Qendrës të Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.
Prof. Jup Kastrati (1924-2003) lindi në Shkodër, më 15 prill 1924 në një familje shkodrane me mirëqenie ekonomike të lartë. Më 1942 studioi pak kohë në Liceun Shkencor “Galileo Ferraris” në Torino.
Gjatë pushtimit Italian, si antifashist, ka qenë i persekutuar, i burgosur, i internuar në “Campo Concetramento”, në kodrat e Tepes në Shkodër, pastaj është mbajtur peng në Kosovë, në burgun famëkeq të Prizrenit gjatë muajve korrik-shtator 1943. Pas Çlirimit kreu studimet e larta në fakultetin e filologjisë në Universitetin e Tiranës. Mbrojti gradën Doktor i Shkencave Filologjike më 1982 me dizertacionin “Historia e gramatologjisë shqiptare” (1935- 1944) me 1500 faqe daktilografike. Më 1987 i është akorduar titulli Profesor (Professor Emeritus), në Këshillin shkencor të Universitetit të Tiranës. Ka shërbyer në arsim 47 vjet, (1946-1993) nga të cilat 37 vjet në arsimin e lartë. Prof. Jup Kastrati është një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës (2 shtator 1957), dhe ka luftuar shumë për krijimin e Universitetit të Shkodrës. Është nderuar me medalje e urdhëra të ndryshëm ndër të cilët përmendim “Mësues i Popullit” (1987), si dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”(15 prill 1999), si dhe “Qytetar Nderi i Shkodrës” (2002).
Është përfshirë në “Mendjet e ndritura të shekullit XXI” nga Instituti Amerikan i Biografisë. Ka qenë shef i katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës më 1973-1990. Është autor i 38 librave me karakter shkencor.
Jup Kastrati ka mbajtur ligjërata shkencore në universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Kalabrisë, Napolit, Salernos, Peruxhias, Nju-Jorkut, si edhe kumtesa në sesione e simpoziume shkencore jashtë Shqipërisë./ata