Autori i suksesshëm gjerman, Clemens Meyer ishte i pranishëm dje në një takim me lexuesin shqiptar, në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Në praninë e ambasadorit gjerman Karl Bergner, ai foli mbi tema që përshkrojnë letërsinë, kulturën gjermane, Europën, proceset e krijimit.
Meyer prezantoi librin e tij të sapobotuar “Projektorët”, një epos mbi krizat e Europës dhe artin e rrëfimit, pjesë e listës për librin më të mirë gjerman 2024, dhe bisedoni me përkthyesen e tij Anna Kove për librin “Nata, Dritat”, që i dha çmimin e fituesit të panairit të Leipzigut 2008.
Personazhe të çuditshme mbushin tregimet e Clemens Meyer-it: një burrë i divorcuar që shpenzon të gjitha paratë në baste garash, duke shpresuar që të fitojë për shërimin e qenit të tij; boksierë, të burgosur, të pastrehë dhe ëndërrimtarë, që bredhin në qytetet e natës etj. Nëpërmjet ngjarjeve që zhvillohen në apartamente të vogla, në vende të braktisura, burgje dhe buzë lumit, Meyer-i godet realitetin e ashpër në kërkim të dritave që mund të shkëlqejnë në errësirë.
Heronjtë e tij janë njerëz që luftojnë me jetën, kërkues të fatit që shpesh dështojnë, dhe figura të shqetësuara të natës. Nga çdo tregim i shkurtër i këtij vëllimi mund të bëhet një film i madh.
Kandidat i listës për Man Booker International Prize 2017 dhe listës për International Booker Prize 2023, mbajtës i çmimeve më të rëndësishme letrare në Gjermani, Clemens Meyer është pa dyshim një nga zërat më përfaqësues të letërsisë bashkëkohore gjermane.
Ky aktivitet u organizua nga Instituti i Librit dhe i Promocionit në kuadër të Festivalit “Tirana Gate 2024”, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, Botimet “Albas”, dhe u financua nga TRADUKI dhe Ambasada Gjermane në Tiranë./ata