Çdo 16 Prill shumë qytetarë të Kosovës rikthehen në Kukës, për të përkujtuar eksodin e vitit 1999, ku gjetën mikpritjen dhe bujarinë e sivëllezërve të tyre në kulmin e agresionit serb.

Në kujtim të atyre viteve, në qytetin e Kukësit u çel një ekspozitë, e cila përmes fokusit të fotografisë risjell në kujtesë eksodin e shqiptarëve të Kosovës.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj e cilësoi 16 Prillin si ditën që bëri bashkë shqiptarët përtej kufijve politikë, si dhe ditën që duhet të gëzojmë për të mbijetuarit e luftës.

Qytetarët e Kosovës e përshkuan më këmbë kufirin Kosovë-Shqipëri, si dhe ngritën disa çadra, si ato në të cilat u strehuan 25 vite më parë. Ata u pritën në Kukës nga Kryetari i Bashkisë, Albert Halilaj dhe Kreu i Shoqatës “Eksod 99’, të cilët në nderim të tyre kishin organizuar edhe një aktivitet festiv./BalkanWeb