Mbrëmë u çel, në Galerinë FAB, ekspozita vetjake e piktorit të mirënjohur Abaz Hado. Ekspozita e titulluar “Trunks and Trees” (Trungje dhe pemë) përmbledh punët e fundit të artistit dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 22 prill.

Në faqen online të Galerisë FAB, vetë piktori Abaz Hado “Mjeshtër i Madh”, rrëfen se “Trunks and Trees” ka lidhje me fillesën, që kurse ai nisi të projektojë një seri veprash mbi raportin që ka secili prej nesh me botën si tërësi universale. Në vizionin e tij, pemët janë si personazhe me ndjesi e shpirt.

“Kur nisnin të merrnin formë, më dukej sikur në brendi lëvrinin ndjesi, kode, simbole, që gjenin jehonën në ato gropat e çuditëshme, që krijohen në trupin e tyre, si shenjë jetëgjatësie dhe durimi stoik, ndaj çdo lëndimi apo vuajtje. Kjo dukshëm shfaqet në lëkurën e ashpër, apo në ato degë që lidhen aq çudishëm me njera tjerën. Kështu u formatua dhe erdhi kjo ekspozitë, që fillimisht mund ta perceptoja përmes fletëve si një seri grafike, ku do isha më i sigurtë, sepse është habitati im”, shprehet artisti.

Ekspozita është konceptuar në dimensionin e vet ku më shumë ka të bëjë me muzikalitetin, harmoninë dhe ekuilibrat kromatikë, që ndodhen dhe arrihen vetëm prej magjisë së ngjyrës. Gjithsesi nuk mungojnë disa vizatime grafike, si një përqasje me konceptin e ekspozitës./ata