Në Tiranë ka nisur edicioni i dytë i përmbledhjeve kinematografike “Italian screens – Kinemaja e re italiane”. Shfaqjet e përditshme të filmave në Kinema Millenium, vijnë me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.

Të shumtë kanë qenë dashamirësit e kinematografisë italiane të cilët kanë mbushur sallën e kinemasë.

Eventi nisi me filmin e Riccardo Milani-t, “Grazie Ragazzi”, film i cili trajton dramën e një personi i cili mbetet pa punë dhe pranon ofertën e një miku dhe kolegu të vjetër, për t’u bërë mësues teatri në një institucion burgu. Filmi ka marrë 2 kandidatura dhe fitoi një çmim në Nastri d’Argento.

Mbrëmjen e djeshme u shfaq “Gagarin, mi mancherai”, i regjisorit Domenico De Orsi, ndërsa mbrëmjen e sotme pritet filmi me metrazh të shkurtër “Bubbles”, i regjisores Meri Dishnica./ata