Në Mirditë ka përfunduar rindërtimi i Spitalit Bashkiak, i cili do të ofrojë shërbime me standarde bashkëkohore për rreth 50 mijë banorë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale pamje nga punimet e përfunduara të këtij spitali.

“Ka përfunduar rindërtimi i Spitalit Bashkiak të Mirditës, një investim në kuadër të procesit të rindërtimit, i cili do të ofrojë shërbim për rreth 50 mijë banorë, me standarde bashkëkohore për pacientët dhe stafin mjekësor. Të angazhuar për modernizimin dhe transformimin e strukturave spitalore dhe qendrave shëndetësore në të gjithë vendin”, theksoi Koçiu.

Spitali i Mirditës u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe në shtator të vitit 2022 iu nënshtrua rikonstruksionit, në kuadër të Rindërtimit. Megjithatë, shërbimi shëndetësor në spital për qytetarët nuk u ndal në asnjë moment gjatë kësaj periudhe rikonstruksioni.

Në këtë spital, ku ofrojnë shërbim 10 mjekë dhe 52 infermierë, kryhen ⁠rreth 60 konsulta ditore në shërbimet e Urgjencës dhe në poliklinikën e specialiteteve rreth 35 konsulta ditore.

Spitali Bashkiak Mirditë ofron shërbimet patologji e përgjithshme, kirurgji të përgjithshme, reanimacion, pediatri, maternitet, poliklinika, urgjenca, laboratori klinik-biokimik, shërbimi i imazherisë dhe farmaci./ata