Në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) është mbajtur ceremonia e hapjes së Qendrës së Studimeve Ballkanike dhe paneli i diskutimit "Ndikimet globale të konflikteve në Ukrainë dhe Gaza dhe konteksti gjeopolitik në Kaukaz: Implikimet politike, sociale dhe ekonomike".

Në aktivitet morën pjesë ambasadori turk në Shkup, Fatih Ulusoy, ambasadori i Azerbajxhanit në Maqedoninë e Veriut, Kamil Khasiyev, përfaqësuesi i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) në Maqedoninë e Veriut, Gabriel Gualano de Godoy, zv/ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Onur Ali, përfaqësues të institucioneve turke në vend, akademikë dhe studentë.

Ambasadori Ulusoy tha se i kushtojnë rëndësi hapjes së qendrës dhe e mbështesin atë duke iu uruar suksese në punimet. Ai tha se në panelin e mbajtur në kuadër të hapjes u diskutuan çështje të rëndësishme si Gaza, Palestina, Ukraina, Azerbajxhani-Armenia, emigracioni dhe refugjatët.

 

"Në mënyrë të përmbledhur shpjeguam perspektivën e Türkiyes për çështjen e Gazës. U munduam të theksojmë se sulmi i fundit ndaj ambasadës iraniane në Damask, sulmi i Izraelit është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, çështja nuk duhet të devijohet nga Gaza për shkak të reagimit të Iranit më pas, duhet të fokusohemi në Gaza dhe të punojmë për një zgjidhje sa më të shpejtë. Shpjeguam përpjekjet dhe diplomacinë që Türkiye e bën në këtë drejtim. Shpjeguam ndihmën që i dhamë Palestinës", u shpreh ambasadori turk, duke treguar se vendi i tij deri më tani ka dërguar 9 anije me ndihma dhe 13 avionë mallrash me ndihma për palestinezët.

Duke theksuar se në panel ka shpjeguar nevojën e respektimit të drejtës ndërkombëtare, Ulusoy tha se ata si Türkiye mbështesin arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshjeje të përhershme midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Ai rikujtoi se tokat e Azerbajxhanit kanë qenë të pushtuara nga Armenia për 30 vjet, duke rikujtuar se Grupi i Minskut i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) nuk mund të jepte zgjidhjen e nevojshme dhe se çështja u zgjidh nga vetë Azerbajxhani.

Duke treguar se çështja e Ukrainës ishte ndër temat e panelit, Ulusoy vuri në dukje se ata kanë mundësuar marrëveshjen e grurit së bashku me OKB-në. Ai tha politika e jashtme turke çdo herë i kushton rëndësi paqes dhe stabilitetit.

"Kjo ashtu si për çdo rajon, vlen edhe për Ballkanin. Ne nuk e shohim stabilitetin dhe paqen e Ballkanit ndryshe nga paqja dhe stabiliteti i vendit tonë. Türkiye gjithmonë ka bërë gjithçka që duhet të bëjë në këtë drejtim, ashtu si në histori ashtu edhe në kohët e fundit dhe do ta bëjë këtë pa hezitim edhe më tutje", tha ambasadori Ulusoy.

"Një nga prioritetet e politikës së jashtme të Azerbajxhanit është zhvillimi i marrëdhënieve miqësore me vendet e Ballkanit"

Ambasadori Khasiyev, nga ana e tij, tha se Qendra e Studimeve Ballkanike është një iniciativë në kohën e duhur, duke marrë parasysh situatën komplekse gjeopolitike në botë dhe rajon dhe se të gjithë kanë nevojë për kontributin e think-tankeve dhe botës akademike, si dhe ide të reja për të kapërcyer problemet shumë komplekse që janë duke u përballur për një kohë.

"Një nga prioritetet e politikës së jashtme të Azerbajxhanit është zhvillimi i marrëdhënieve miqësore me vendet e këtij rajoni. Kaukazi i Jugut është një rajon shumë kompleks, por është gjithashtu një rajon shumë i rëndësishëm gjeostrategjik për sa i përket ndikimit të tij në shumë çështje. Historikisht, ka pasur gjithmonë një fushë të caktuar konkurrence midis disa fuqive. Deri më tani kemi qenë dëshmitarë të disa problemeve komplekse në këtë rajon", tha Khasiyev, duke shprehur rëndësinë që vendi i tij i jep shteteve të rajonit të Ballkanit.

Nga ana tjetër, Godoy, si përfaqësues i UNHCR-së, shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në një ngjarje të tillë dhe theksoi se ata kanë nevojë për më shumë bashkëbisedues, veçanërisht nga akademia, për të sjellë këndvështrime të ndryshme se si të zgjidhen sfidat globale, përfshirë refugjatët që ikin nga konflikti dhe lufta.

"Janë më shumë se 114 milionë (refugjatë dhe persona të zhvendosur me forcë) në mbarë botën. Kjo është kriza më e madhe humanitare që nga Lufta e Dytë Botërore. Pra, ne kemi nevojë për forcë dhe përkushtim nga komuniteti ndërkombëtar, shtetet anëtare, por edhe nga sektori privat, organizatat e shoqërisë civile dhe akademia për t'u siguruar që ne mund të formojmë aleanca për të siguruar zgjidhje për ata persona që ikin nga lufta dhe konflikti", tha Godoy.

Gjithashtu foli edhe Rektori i IBU-s Prof. Dr. Lütfi Sunar, i cili theksoi se Qendra e Studimeve Ballkanike do të funksionojë si një qendër kërkimore e gjeneratës së re.

"Ne do të kemi marrëdhënie të ngushta, lidhje dhe bashkëpunime me shumë institucione dhe njerëz nga e gjithë bota. Në universitetin tonë, nuk do të organizojmë dhe bëjmë kërkime vetëm brenda strukturës sonë, ne do ta bëjmë këtë në një nivel global", tha ai

Prorektori i IBU dhe drejtor i Qendrës së Studimeve Ballkanike, Assoc. Prof. Dr. Mevludin Ibishi, duke folur rreth synimeve të qendrës tha se: "Qëllimi ynë është të ofrojmë analiza objektive të hulumtuara mirë në mënyrë që të ndihmojmë institucionet akademike për zhvillim më të lartë akademik dhe institucionet publike,vsi dhe palët e tjera të interesuara në mënyrë që të marrin vendime të informuara dhe të formulojnë politika efektive"./aa