Në Shqipëri po mbahet simpoziumi me temë "Migrimi: Sfidat dhe mundësitë në rajonin e Ballkanit", organizuar nga Instituti i Studimeve Evropiane dhe Ballkanike pranë Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif.
Në ceremoninë e hapjes së simpoziumit dyditor të mbajtur në ambientet e kampusit të UNYT-së ishin të pranishëm përfaqësues të Fondacionit Turk Maarif, të institucioneve turke në Shqipëri, të institucioneve shqiptare, studiues, pedagogë dhe studentë.
Në fjalën e tij përshëndetëse në ceremoninë e hapjes, kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Birol Akgün tha se janë disa arsye se përse çështja e emigracionit ka një interes për botën akademike, duke theksuar se para së gjithash, emigracioni është një fenomen global dhe se lëvizja globale e njerëzve në botë duket se po shënon rritje.
"Roli kërkimor i universitetit (UNYT) është rritur gjithashtu vit pas viti. Ndaj jam shumë i lumtur që shoh gjithë suksesin dhe ky është një hap i ri sot që po përjetojmë", tha Akgün.
Akgün theksoi se emigrimi krijon sfida të reja për të gjithë. "Sfidat për vendet e origjinës janë në sektorin e më të arsimuarve të shoqërisë së tyre, në atë që ne e quajmë 'truri', që nuk është e mirë për zhvillimin e vendeve të origjinës. Emigrimi krijon sfida të reja edhe për vendet pritëse. Emigrimi kontribuon në dinamikën e ekonomive dhe të shoqërisë", tha Akgün.
Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes, Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, u shpreh se duhet të ofrohet ndihmë duke krijuar mundësi punësimi për të rinjtë, sipas tij, që ata të shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Ai tha se është i sigurt se do të jetë gjithashtu shumë e dobishme për ambasadën dhe autoritetet shqiptare që të përfitojnë nga përfundimet e diskutimeve të simpoziumit mbi çështjet e emigracionit.
"Shqipëria e ka kryer me sukses anëtarësinë e saj jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit (të OKB-së). Dhe tani Shqipëria po jep kontributin e saj në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Që nga ardhja ime (si ambasador), ka pafund histori suksesi në Shqipëri, gjë që është e lavdërueshme", tha ambasadori Atay.
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Artemis Malo, në fjalën e saj u shpreh se Shqipëria mbetet e angazhuar në menaxhimin e çështjes së emigracionit në nivel rajonal.
"Në detyrën time si zëvendësministër, ndër të tjera kam në portofolin tim çështjet e diasporës dhe përditë jam shumë i vetëdijshëm për rëndësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj çështjeje, e cila prek jo vetëm Shqipërinë, por gjithë rajonin e Ballkanit", tha Malo.
Malo theksoi ndër të tjera se qasja ndaj diasporës shqiptare ka qenë gjithëpërfshirëse dhe është e fokusuar në tre parime kryesore: "angazhim, lidhje dhe fuqizim".
"Shqipëria do të marrë Presidencën e Nismës Rajonale të Migracionit për Azilin dhe Refugjatët (MARRI) për periudhën qershor 2024 - qershor 2025. Në këtë kuadër do të rikonfirmojmë rolin e vendit tonë, i cili do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e situatës së sigurisë në rajon përmes menaxhimit të mirë të kufirit. Çështjet e emigracionit legal po kërkojnë çdo ditë e më shumë informacion dhe ekspertizë", tha Malo.
Në fjalën tij, rektori i UNYT-së, Ali Güneş, theksoi se janë mbledhur në këtë simpozium për të eksploruar dimensionin e shumanshëm të emigracionit brenda kontekstit të Ballkanit.
"Emigrimi nuk është thjesht një çështje politike dhe statistikash, por një realitet që prek miliona individë dhe komunitete. Ballkani e gjen veten në udhëkryqin e rrugëve kryesore të emigracionit, duke shërbyer si një destinacion dhe një pikë tranziti për emigrantët dhe refugjatët që kërkojnë të hyjnë në Evropë", tha Güneş,
Fjalë përshëndetëse në ceremoninë e hapjes që u moderua nga drejtoresha e Institutit të Studimeve Evropiane dhe Ballkanike, Mirela Bogdani, mbajtën edhe zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Ana Kapaj dhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Keti Luarasi.
Sipas organizatorëve, simpoziumi ka për qëllim të mbledhë aktorë të ndryshëm të fushës së emigracionit, si studiues, politikanë, drejtues të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare dhe eksperte të fushës për të analizuar, diskutuar dhe ndarë ekspertizat mbi situatën dhe problematikat aktuale të emigracionit në rajonin e Ballkanit dhe me fokus të veçantë Shqipërinë./aa