Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, ka deklaruar se pushtimi i territoreve palestineze nga Izraeli është një nga shkaqet kryesore të destabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Istanbul me homologun e tij egjiptian, Sameh Shoukry, ministri turk tha se çështja e Palestinës mund të shkaktojë problem global.
“Bashkëpunimi midis Egjiptit dhe Türkiyes është jashtëzakonisht i dobishëm për popujt tanë dhe rajonin”, shtoi Fidan.
Duke shpërfillur vendimin e përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Izraeli vazhdon sulmet në Rripin e Gazës, ku që nga 7 tetori të paktën 34.049 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe 76.901 të tjerë janë plagosur.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Armiqësitë kanë vazhduar në mënyrë të pandërprerë, megjithatë edhe dërgesat e ndihmave mbeten mjerisht të pamjaftueshme për të trajtuar katastrofën humanitare.
Shoukry: Gjashtë vendkalimet izraelite me Gazën duhet të hapen
Shoukry, nga ana e tij, theksoi nevojën për hapjen e vendkalimeve izraelite me Rripin e G/azës së rrethuar.
“Ne kërkojmë që gjashtë kalimet izraelite me Gazën të hapen për ndihmën humanitare”, tha Shoukry.
Ministri egjiptian theksoi se “dështimi për ta bërë këtë shkel ligjin ndërkombëtar”. Ai tha se “që nga fillimi i luftës izraelite në Rripin e Gazës, pengesat izraelite vazhduan”.
Ai po ashtu theksoi se Egjiptia ka “angazhuar aleatët ndërkombëtar në ngritjen e qendrës së Gazës për shpërndarjen e ndihmave.
“Ne duhet të parandalojmë zhvendosjen e palestinezëve dhe të punojmë për të krijuar një shtet të pavarur palestinez”, tha Shoukry.
Më tej, Shoukry gjithashtu tha se tensioni midis Iranit dhe Izraelit “devijoi vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar nga situata tragjike në Gaza”./aa