Pas tërmeteve të fuqishme të javës së kaluar në Türkiye, ministri turk i Punëve të Brendshme, Süleyman Soylu ka deklaruar se vendasit që u larguan nga shtëpitë e tyre do të kthehet në qytetet e tyre pasi të përgatiten lokacionet me tenda dhe kontejnerë për ata që mbetën pa shtëpi.

 

"Pasi qytetet të fillojnë të normalizohen dhe pasi të vendosen tenda, qytetarët tanë të evakuuar, natyrisht, do të kthehen në qytetet e tyre", tha Soylu, duke folur mbi pasojat e tërmeteve në Türkiye-n jugore që rrafshuan mijëra ndërtesa.

 

"Ndoshta viti i tyre i parë nuk do të jetë i njëjti si më parë, por ne do të përpiqemi të sigurohemi që nevojat e tyre të plotësohen", shtoi ai.

 

Duke folur në Qendrën e Koordinimit të Fatkeqësive në provincën Kahramanmaraş, e cila ishte epiqendër e tërmeteve të javës së kaluar me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë, Soylu tha se deri më tani ndihma fillestare financiare prej 10 mijë lirash (530 dollarë) u është dhënë afër 336 mijë familjeve.

 

Ai hodhi poshtë pretendimet se ka një shpërthim të sëmundjes akute intestinale në zonat e goditura nga tërmeti, duke shtuar se Ministria e Shëndetësisë është vigjilente ndaj çdo epidemie.

 

Soylu tha se rreth 200 mijë tenda janë dërguar në zonën e tërmetit si strehimore e përkohshme dhe se shumë prej tyre tashmë janë ngritur. Ai po ashtu njoftoi se rreth 100 mijë tenda të tjera do të dërgohen së shpejti.

 

"Hapësira banimi do të ndërtohen brenda kontejnerëve. Vendet për këto (kontejnerë) janë përcaktuar dhe infrastruktura po ndërtohet. Ky është një proces 1-vjeçar", tha ai.

 

Më tej, duke folur për shkallën e shkatërrimit, Soylu tha se pothuajse një e katërta e ndërtesave në Kahramanmaraş pësuan dëme dhe se gjysma e banesave në Antakya dhe Hatay janë shkatërruar nga tërmeti ose duhet të prishen në kuadër të përpjekjeve për të rindërtuar qytetin.

 

Kuzhinat me ushqim falas dhe siguria janë më thelbësore

 

Duke theksuar se kuzhinat me ushqim falas në zonën e tërmetit duhet të jenë të qëndrueshme për të paktën një vit, Soylu tha: "Ne duhet t’i bëjmë të qëndrueshme nevojat për kuzhinat me ushqim falas për gatimin dhe shërbimin ndaj kombit tonë. Ne gjithashtu duhet ta bëjmë të qëndrueshëm ushqimin e thatë e të pastër si dhe veshjet e reja".

 

Në lidhje me përpjekjet e autoriteteve turke për të ofruar mbrojtje dhe siguri për komunitetet në provincat e goditura nga tërmeti, Soylu tha se forcat e sigurisë në zonat e tërmetit janë përforcuar trefish për të siguruar koordinimin e përpjekjeve humanitare dhe për të ruajtur rendin./AA