Panairi “Art dhe Zeje”, që u çel këtë fundjavë në Malësin e Madhe, me mbështetjen e autoriteteve vendore të kësaj zone, është një mundësi e mirë për promovimin dhe kultivimin e talenteve të së ardhmes.

Bashkia e Malësisë së Madhe, ndau në rrjete sociale momente nga organizimi i këtij eventi, teksa njoftoi se, “Arte dhe Zeje” është një projekt i rëndësishëm, ku nxënësit kanë mundësinë të shfaqin talentet e tyre në arte, zeje dhe të promovojnë traditën e kulturën e zonës.

“Prej kohësh shkolla është kthyer në një qendër ku nxënësit, jo vetëm mësojnë, por edhe zhvillojnë aktivitete të ndryshme artistike kulturore e sportive dhe aktivizimi i qytetarëve vullnetarë, ku mësojnë praktika dhe aftësi, që iu shërbejnë gjatë jetës së përditshme”, lexohet në postimin e publikuar në rrjetet sociale.

Në këtë panair nxënësit, ekspozuan veshje tradicionale të zonës, punime artizanale me motive karakteristike të Malësisë së Madhe, si dhe shumë punime dore me shtiza e grep, ndërsa nuk mungoi atmosfera festive me këngë e valle popullore.

Panairi u organizua në kuadër të Programi Kombëtar “Art, Zeje, Sport” që ka për qëllim inkurajimin e mësimit të punimeve të artit dhe atyre artizanale përmes veprimtarive praktike, nxitjen e aftësive sipërmarrëse të nxënësve në perspektivën e ruajtjes dhe të promovimit të vlerave të komunitetit ku jetojnë, si dhe të trashëgimisë sonë kulturore.

Programi kombëtar “Art Zeje dhe Sport” ka nisur zbatimin në shkollat e vendit, duke i kthyer ato në qendra më të dashura për nxënësit, ku zhvillojnë vlerat e traditat.

“Edukimi i brezave me punë dhe dije është mënyra më e mirë për të zhvilluar një shoqëri dhe një komb”, citon në njoftimin e saj, bashkia e Malësisë së Madhe./ata