Christiane S. Rinaldini dhe Antonio Mario Rinaldini nje çift turistesh nga San Paolo i Brazilit i takuam ne njërën prej kafeneve te Kukësit. Mario është tek te 70- tat ndërsa bashkëshortja e tij Kristjan 60-vjeçe.Nuk hezitojnë të tregojnë përshtypjen e tyre për Shqipërinë.

“Kemi udhëtuar në më shumë se 70 shtete, por hera e parë që jam në Shqipëri. Në Brazil ka përshtypje të tjera për Shqipërinë. E cilësojnë të varfër e të pazhvilluar, por unë jam surprizuar nga ajo që gjeta këtu. Njerëz të mirë, të bukur, qytet i pastër e vend i mrekullueshëm".- shprehet Mario.

Çifti brazilian nuk kishte informacion për Kukësin. Mario tregon se po ktheheshin nga Serbia, por gjatë udhëtimit nga rruga panë malin e Gjalicës, qytetin e vogël të Kukësit, liqenin e gjithçka që e rrethonte e janë befasuar. Kjo pamje nxiti bashkëshorten e tij për të ndaluar menjëherë në Kukës. Gjatë qëndrimit në qytetin e vogël verilindor kanë vizituar muzeun etnografik, një ekspozitë pikture pranë Pallatit të Kulturës. Janë befasuar nga ajo çfarë panë e përjetuan në Kukës.

Kristian, në çdo çast shkrep foto që ua dërgon miqve të saj në Brazil të kënaqur edhe me ushqimin, kushtet akomoduese e sigurisht edhe çmimet. Për Marion, çmimet në Shqipëri duken të njëjta me Brazilin, por shumë më të lira se në shtetet e Europës.

“Shqipëria ne Brazil nuk imagjinohet se është e bukur dhe me njerëz te mire. Kemi vizituar Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Kukësin. Bashkëshortja më tha qëndro këtu sepse është bukur, malet, liqeni, njerëzit. Për Kukësin nuk kemi patur informacion, por na pëlqen. Shqipëria nuk ka ndryshim me Brazilin sa i përket çmimeve në restorante. Ushqimi është i mire dhe çmimet e njëjta”.- u shpreh ai.

Kristin e Mario thanë se nuk do të reshtin së foluri me miqtë e tyre për Shqipërinë e shqiptarët, sigurisht edhe për qytetin e vogël të Kukësit nga i cili u larguan me përshtypjet më të mira duke premtuar se do të kthehen serish./Shqiptarja