Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu informoi sot se në kuadër të programit kombëtar për kujdesin e shikimit, 55 030 fëmijë kanë kryer kontrolle të rregullta përgjatë vitit mësimor, shtator 2023-prill 2024.

“7336 fëmijë kanë rezultuar me problematika në shikim, të cilët janë referuar për kontrolle më të specializuara te mjekët specialistë në strukturat shëndetësore”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Koçiu u shpreh se “MSHMS mbështet programin e depistimeve të shikimit edhe me buxhetin e vitit 2024 për identifikimin e hershëm të problemeve të mundshme të shikimit te fëmijët dhe ofrimin e trajtimit cilësor shëndetësor”.

Gjatë vitit 2024 rreth 220 mijë fëmijë do të mbështeten nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në kuadër të programit të depistimeve të shikimit dhe kujdesit dentar në shkolla.

Ky program u zbatua për herë të parë në vitin 2022 dhe garanton kujdesin për shikimin e fëmijëve që nga të porsalindurit deri te fëmijët e moshës 14-vjeçare, duke ofruar një kontroll periodik të syve.

Ky program parashikon vlerësimin okulistik/optometrik bazuar në protokollet e miratuara nga MSHMS dhe përgatitjen e një regjistri kombëtar për problemet e shikimit të fëmijëve.
Nëpërmjet këtij program synohet që të kapen në kohë të gjithë problematikat e shikimit të fëmijëve, duke mundësuar në kohë të hershme elementët e tjerë që kanë të bëjnë me korrektimin e shpejtë të syve dhe problematikave të thella të shikimit, që çojnë deri në verbëri.

Gjatë 2023 mbi 173 mijë fëmijë kanë përfituar nga ky program./ata