Nën drejtimin e kryetares, Zheni Gjergji, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi sot një vizitë monitoruese në Institutin e Shëndetit Publik lidhur me procesin e vaksinimit për HPV dhe ecurinë e tij.
Në ambientet e ISHP-së, anëtarët u pritën nga Eugena Tomini, drejtore e Përgjithshme e ISHP e cila falënderoi komisionin për interesimin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin me institucionin.
Sa i përket interesimit të anëtarëve lidhur me vaksinën ndaj HPV, Tomini theksoi rëndësinë e vendosjes së saj në Kalendarin e Programit Kombëtar të Vaksinimit pasi “kanceri i qafës së mitrës zë vendin e dytë për sa i përket incidencës së kancereve për moshën 15-44 vjeç dhe vendin e pestë në incidencën e kancereve për të gjitha moshat”.
Më tej, lidhur me procesin e vaksinimit për HPV, Tomini bëri një pasqyrim të programit të depistimit të kancerit të qafës së mitrës, ecurisë, kohës së vaksinimit, ndërgjegjësimit të prindërve dhe fëmijëve, agjentët predominues shkaktarë të kancerit të qafës së mitrës etj dhe theksoi se, Programi i Vaksinimit, DEKSI, ISHP, në Tetor 2022 ka zhvilluar trajnim online me të gjithë NJVKSH-të, shefat e epidemiologjisë, epidemiologët, kryevaksinatorët, vaksinatorët e QSH, stafin e promocionit në NJVKSH dhe ISHP, DEKSI për tu njohur me vaksinën ndaj HPV dhe hyrjen në Kalendarin e Vaksinimit, informim për vaksinën, pyetje përgjigje, informim prindi etj.
Drejtoresha e institucionit vuri në dijeni komisionin se gjatë 4 javëve të para të kësaj fushate, janë aplikuar 1000 doza vaksinë ndaj HPV tek vajzat 14-20 vjec ndërkaq, për vajzat 13 vjeç që do të vaksinohen gjatë vitit 2024, janë porositur në 20 569 doza vaksinë ndaj HPV.
Anëtarët bën pyetje dhe u interesuan edhe sa i përket situatës aktuale gripale për të cilën, drejtoresha Tomini sqaroi se, po monitorohet një qarkullim miksim i virozave respiratore dimërore dhe bëri thirrje të vijohet me vaksinimin e popullatës me vaksinat e gripit, sidomos grupeve të rriskut
Më tej anëtarët e komisionit bën pyetje edhe sa i përket vaksinimit të fruthit dhe regjistrit të kancerit./ata