Shefi i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, duke folur për Anadolu ka deklaruar se dhjetëra mijëra njerëz në Rripin e Gazës janë vrarë duke përdorur armët amerikane, si dhe ka theksuar se vetoja e SHBA-së kundër krijimit të një shteti palestinez në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) siguron në mënyrë efektive mbrojtje politike për veprimet e Tel Avivit.

“Pozicioni i SHBA-së është mashtrues, edhe pse thotë se nuk dëshiron që civilët të dëmtohen, kjo është një tentativë manipulimi. Të gjithë civilët e vrarë në Gaza, mijëra, dhjetëra mijëra martirë, u vranë me armë të SHBA-së, me raketa të SHBA-së, nën mbrojtjen politike të SHBA-së. Çfarë do të thotë vetoja e SHBA-së për armëpushimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së... Kjo do të thotë se SHBA-ja po i jep mbrojtje të plotë dhe ombrellë vazhdimit të masakrave dhe vrasjeve kundër Gazës”, tha Haniyeh në një intervistë ekskluzive për Anadolu.

Ai shtoi se vetoja e SHBA-së për anëtarësimin e plotë në OKB për Palestinën tregon se Washingtoni ka përqafuar qëndrimin izraelit dhe kundërshton të drejtat e popullit palestinez.

Operacioni në Rafah mund të çojë në masakër

Haniyeh paralajmëroi kundër operacionit të mundshëm ushtarak nga ushtria izraelite në Rafah, duke theksuar se ai mund të çojë në një masakër kundër popullit palestinez.

“U bëj thirrje të gjitha vendeve vëllazërore, vëllezërve tanë në Egjipt, vëllezërve tanë në Türkiye, vëllezërve tanë në Katar si ndërmjetës dhe vendeve evropiane që të ndërmarrin veprime për të frenuar agresionin (izraelit) dhe për të parandaluar operacionin në Rafah, si dhe për tërheqjen (e ushtrisë izraelite) nga Rripi i Gazës dhe dhënien fund të sulmeve në Gaza”, tha Haniyeh.

Lidhur me rezistencën e popullit palestinez, Haniyeh tha se, "Nëse armiku sionist hyn në Rafah, populli palestinez nuk do të ngrejë flamurin e bardhë. Luftëtarët e rezistencës në Rafah janë të gatshëm të mbrojnë veten dhe t'i rezistojnë sulmeve".

Negociatat me Izraelin

Duke theksuar se Izraeli nuk ka pranuar një armëpushim në Gaza pavarësisht të gjitha negociatave, pasi dhjetëra propozime janë dorëzuar përmes ndërmjetësve, Haniyeh tha se, “Gjithçka që dëshiron është të marrë përsëri të burgosurit dhe pastaj të rifillojë luftën në Gaza dhe kjo nuk është e mundur. Ushtria izraelite duhet të tërhiqet plotësisht nga Gaza. Izraeli gjithashtu nuk dëshiron që njerëzit e zhvendosur të kthehen në Gazën veriore. Pranon një kthim të kufizuar dhe gradual. Është e papranueshme”.

Ai theksoi se Izraeli propozoi një numër të vogël njerëzish për shkëmbimin e të burgosurve, pavarësisht se ka arrestuar rreth 14 mijë palestinezë nga Bregu Perëndimor dhe Gaza që nga 7 tetori.

“Është Izraeli, si dhe SHBA-ja që nuk ushtron asnjë presion (mbi Izraelin). Dhe, kjo pengon arritjen e një marrëveshjeje. Sapo Izraeli të pranojë këto kërkesa, ne do të jemi të gatshëm të arrijmë marrëveshjen”, theksoi Haniyeh.

Qeverisja e Gazës pas luftës

Më tej, Haniyeh tha se Gaza do të qeveriset nga palestinezët kur të përfundojnë luftimet.

“Hamasi nuk insiston të jetë autoriteti i vetëm në administrimin e Gazës, por ne jemi pjesë e popullit palestinez dhe mund të krijojmë një qeveri uniteti kombëtar mbi baza partneriteti dhe të biem dakord për administrimin e Gazës. Këto janë çështje kombëtare. Ne nuk do të lejojmë që situata e Palestinës në Gaza, në Bregun Perëndimor apo të dyja, të rregullohet nga pushtuesit apo dikush tjetër”, tha Haniyeh.

Ai tha se janë propozuar alternativa në lidhje me administrimin e Gazës, por suksesi për alternativat nuk është i mundur.

“Ne bëmë një thirrje me dy faza për rregullimin e politikës së brendshme palestineze. Faza e parë konsiston me riorganizimin e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) për të përfshirë të gjitha grupet palestineze. Faza e dytë përfshin krijimin e një qeverie kombëtare që do të marr përsipër rindërtimin e Gazës dhe bashkimin e institucioneve në Bregun Perëndimor dhe Gaza nën një çati, si dhe sigurimin e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, legjislative dhe të këshillit kombëtar”, theksoi ai.

Shefi i Hamasit po ashtu theksoi se Gaza është një pjesë kombëtare e Palestinës, duke treguar se Hamasi pret që qeveria e konsensusit kombëtar që do të mbulojë Gazën dhe Bregun Perëndimor të qeverisë pas luftës.

Mbështetja e presidentit Erdoğan për kauzën palestineze

Më tej, Haniyeh theksoi se vizita e tij në Türkiye u zhvillua në kuadër të marrëdhënieve historike dhe të dalluara midis Türkiyes dhe Palestinës, duke theksuar se ka zhvilluar një takim të rëndësishëm për rreth dy orë me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.

Ai tha se ata bënë një paraqitje gjithëpërfshirëse në lidhje me sulmet e Izraelit në Gaza dhe atë që palestinezët kanë përjetuar për gati shtatë muaj.

Haniyeh deklaroi se grupi i përcolli presidentit Erdoğan këmbënguljen e tij për gjenocidin kundër popullit palestinez, negociatat e vazhdueshme për një armëpushim dhe kërkesat e Hamasit dhe grupeve të rezistencës për një “armëpushim të përhershëm në Gaza, tërheqje të plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës, kthimin e personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre, rindërtimin, heqjen e bllokadës, si dhe arritjen e një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve”.

Lideri i Hamasit gjithashtu vlerësoi mbështetjen e presidentit Erdoğan për kauzën palestineze.

“Deklarata e presidentit Erdoğan gjatë takimit të grupit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), ku e përshkroi Hamasin si lëvizje kombëtare çlirimtare dhe e krahasoi atë me Kuva-yi Milliye, është padyshim një burim i krenarisë për ne dhe popullin palestinez”, tha Haniyeh për Anadolu, pas takimit të tij me presidentin Erdoğan në Istanbul.

Në mbledhjen e grupit të partisë së tij, presidenti Erdoğan kishte thënë se “Hamasi është ajo që Kuva-yi Milliye (Forcat Kombëtare aktive gjatë Luftë së Pavarësisë Turke 1918-1921) ishte në Türkiye gjatë Luftës Kombëtare. Ne e dimë patjetër se të thuash këtë do të vijë me një çmim”.

Haniyeh theksoi se Hamasi është një lëvizje që reziston për të çliruar tokat, vlerat e shenjta dhe popullin palestinez nga okupimi historik.

Duke theksuar lidhjet historike të Türkiyes me kauzën palestineze për shkak të pozicionit të saj rajonal dhe islamik, Haniyeh tha se komentet e presidentit Erdoğan pasqyrojnë ndërgjegjen e popullit turk, i cili e konsideron kauzën palestineze si të tyre, empatizojnë Gazën nga një perspektivë humanitare dhe qëndrojnë kundër shtypjes.

Shefi i Hamasit theksoi nevojën e bashkimit të përpjekjeve për të ndalur sulmet e sionistëve, të cilët qëndrojnë në këmbë me mbështetjen e SHBA-së.

Ai gjithashtu vlerësoi qëndrimin intelektual, historik dhe politik të presidentit Erdoğan dhe të popullit turk për kauzën palestineze.

“Ne ende e mbajmë mend presidentin Erdoğan kur në përgjigje të Shimon Peres-it (ish-presidenti izraelit) ngriti hartën e Palestinës gjatë fjalimit të tij në OKB dhe shpjegoi se si Palestina u pushtua gradualisht. Ne e monitorojmë nga afër, me një rëndësi të madhe, pozicionin e Türkiyes në rajon, politikat e saj rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe qëndrimin e saj ndaj kauzës palestineze dhe të Gazës”, tha Haniyeh.

“Ne ende kujtojmë se si populli turk sakrifikoi dëshmorë në Mavi Marmara për heqjen e bllokadës në Gaza”, theksoi më tej Haniyeh, dyke shtuar se Türkiye mban një qëndrim të qëndrueshëm për kauzën palestineze dhe bllokadën e Gazës.

Haniyeh njoftoi se gjatë takimit të tij dje me presidentin turk kanë diskutuar vendimet e marra në lidhje me kufizimet tregtare ndaj Izraelit dhe efektet e tyre në aktivitetin tregtar.

“Ky është një hap i rëndësishëm kundër armiqve sionistë që derdhin gjakun e grave, fëmijëve dhe palestinezëve të moshuar në sulmet në Gaza, kërcënojnë Rafahun me sulme tokësore dhe nuk i respektojnë vlerat e shenjta muslimane, veçanërisht xhaminë Al-Aksa në Kuds”, thekoi Haniyeh.

Qëndrimi pa kompromis i Izraelit

Haniyeh theksoi se derisa Hamasi tregoi fleksibilitet në negociata, Izraeli mbajti një qëndrim pa kompromis, duke ia atribuar dështimin dhe ndërprerjen e bisedimeve qëndrimit izraelit.

Ai tha se gjatë takimit grupi u informua për përpjekjet politike dhe diplomatike të Ankarasë në nivel rajonal dhe ndërkombëtar për të ndaluar sulmet në Gaza, ndihmën e dërguar në Gaza përmes kalimit kufitar Rafah dhe vendimet e Türkiyes në lidhje me tregtinë e fundit me Izraelin.

Haniyeh gjithashtu tha se ata diskutuan rrezikun që e pret xhaminë Al-Aksa për shkak të festës së ardhshme të Pashkëve në Izrael dhe vlerësuan zhvillimet në Bregun Perëndimor, Kuds dhe xhaminë Al-Aksa.

Krimet e kryera nga Izraeli në Gaza

Haniyeh tha se Izraeli, i cili fillimisht bombardoi rëndë Gazën nga ajri para se të hynte nga toka, miratoi një strategji të bazuar në vrasje, si dhe vendosi një bllokadë ushtarake dhe humanitare, duke shkatërruar spitale, shkolla, infrastrukturë, furra buke, farmaci dhe fabrika.

“Për më shumë se pesë muaj asgjë nuk ka hyrë në Gaza. Uria është përdorur si armë për të thyer vullnetin e njerëzve dhe për t’u bërë presion të migrojnë nga veriu në jug. Është një situatë shumë e vështirë si për sa i përket numrit të martirëve dhe të plagosurve, ashtu edhe atyre të bllokuar nën rrënoja. Ka mijëra martirë të varrosur nën rrënoja. Çdo ditë zbulojmë varre të reja masive. Torturat, ekzekutimet, krimet e kryera në burgje... Izraeli nuk lejon as OKB-në dhe UNRWA-në të veprojnë. Ata duan të mbyllin UNRWA-në”, tha Haniyeh.

Ai theksoi se për të arritur një marrëveshje, të paktën 500 kamionë duhet të hyjnë në Gaza çdo ditë për rindërtimin e spitaleve, furrave të bukës, infrastrukturës dhe strehimoreve.

Haniyeh tha se këto çështje i ka diskutuar edhe me presidentin Erdoğan gjatë takimit.

Reflektimet e luftës së Gazës në fronte të tjera

“Aftësia e rezistencës palestineze për të përballuar kushtet në terren dhe zhvillimet e sigurisë është e lartë. Kjo rezistencë ka dëshmuar vullnetin e fortë dhe të palëkundur të popullit tonë. Armiku nuk do të mund ta thyejë këtë armë, këtë flamur, këtë vullnet, frymën e rezistencës dhe këtë vendosmëri”, tha Haniyeh.

Duke theksuar se kjo është e vërtetë edhe për palestinezët në Bregun Perëndimor, Haniyeh tha se, “Ne vazhdimisht jemi dëshmitarë të rezistencës së përtërirë në zona të ndryshme të Bregut Perëndimor dhe po ashtu ka fronte të rezistencës në Liban”.

“Armiku sionist donte të fokusohej në Rripin e Gazës në luftë. Megjithatë, për shkak të integrimit midis forcave të rezistencës në Liban të cilat u bënë pjesë e kësaj lufte, si grupeve të rezistencës në Palestinë, ai nuk mundi ta arrijë këtë. Në të vërtetë, është pothuajse një luftë e ngjashme në Libanin jugor midis shtetit pushtues izraelit dhe rezistencës islamike (Hezbollah) në Liban dhe grupeve të rezistencës palestineze”, shtoi ai.

Ai theksoi se Jemeni po ushtron gjithashtu presion serioz mbi anijet që shkojnë në Izrael përmes Detit të Kuq.

"Kjo ka efekte të qarta në ekonominë izraelite dhe ekonominë e kompanive dhe anijeve që bëjnë biznes me të", tha ai.

Duke iu referuar sulmeve midis Iranit dhe Izraelit, Haniyeh tha se konflikti është përhapur në Liban, Irak, Jemen, Siri dhe më pas në Iran dhe gradualisht po përhapet në rajon. Ai theksoi se të gjitha këto janë të lidhura me sulmet e vazhdueshme të Izraelit dhe gjenocidin në Gaza.

Haniyeh tha se sapo të pushojnë sulmet në Gaza, në rajon pritet të mbizotërojë qetësia. Ai po ashtu e konsideroi Izraelin përgjegjës për zhvillimet që ndodhën pas sulmit ndaj ambasadës iraniane në Siri.

"Të gjithë prisnin që Irani të mos qëndronte i heshtur përballë këtij sulmi, i cili prek drejtpërdrejt sovranitetin e tij. Kjo situatë mund të tregojë se Izraeli pushtues mund të ketë kuptuar ose keqkuptuar politikën e përmendur më parë të Iranit të 'durimit strategjik' ", tha ai.

“Të gjithë prisnin një përgjigje nga Irani, megjithatë, i takon Iranit të vendosë se cila do të jetë përgjigja, si dhe vëllimi, dimensioni dhe shtrirja e tij”, shtoi ai.

“Netanyahu nuk dëshiron t’i japë fund luftës në Gaza”

Lidhur me tensionin Iran-Izrael, Haniyeh tha: "E gjithë kjo tregon dy gjëra. Netanyahu nuk dëshiron t'i japë fund luftës në Gaza. Përkundrazi, ai dëshiron të zgjerojë strukturën e saj për një luftë rajonale. Në mënyrë të ngjashme, ata duan që amerikanët të bëhen pjesë e frontit ushtarak kundër Iranit dhe pjesë e krahut ushtarak që i shërben Izraelit”.

“Armiku sionist është përgjegjës për këtë tension dhe përshkallëzim rajonal, duke mohuar të drejtat e popullit tonë, duke vazhduar të sulmojë popullin tonë, shenjtëritë tona, veçanërisht Kudsin dhe Al-Aksën dhe duke vazhduar luftën gjenocidale në Gaza”, shtoi ai.

Sionistët kanë pasur ambicie të së kaluarës për Al-Aksanë

Haniyeh theksoi se sionistët dhe hebrenjtë radikal kanë pasur ambicie për Al-Aksanë në të kaluarën.

“Ne dëshmuam djegien e Al-Aksasë në vitin 1969. Më pas erdhën sulmet, masakrat, bastisjet, përpjekjet për të ndryshuar statusin e Al-Aksasë, pasuar nga përpjekjet për të ndarë Al-Aksanë përkohësisht dhe në mënyrë hapësinore, si dhe planet për të sakrifikuar në Al-Aksa”, theksoi ai.

Haniyeh tha se qeveria izraelite nën Netanyahu-n i jep përparësi ndryshimit të monumenteve historike, kulturore dhe intelektuale në Kuds dhe Al-Aksa.

"Në ditët e fundit, ne dëgjojmë thirrje nga ministrat izraelitë dhe autoritetet fetare për të sakrifikuar në Al-Aksa gjatë festës hebraike. Ata kanë caktuar shpërblime për ata që do të sakrifikojnë në Al-Aksa. Ky është mosrespektim i shenjtërisë së Al-Aksasë", tha ai.

Haniyeh u bëri thirrje të gjithë palestinezëve dhe ummetit islamik që të ndërmarrin veprime për të mbrojtur Al-Aksanë, kiblen e parë të muslimanëve.

Duke folur për operacionin e “Vërshimi i Al-Aksasë” të nisur nga Brigadat Izz ad-Din al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, kundër shkeljeve izraelite në Al-Aksa, Haniyeh tha se "operacioni u nis për Al-Aksanë, Kudsin dhe veçanërisht për shenjtërit e ummetit”.

“Ummeti nuk duhet të lejojë që këto përpjekje të shkojnë kot. Këto janë trashëgimitë që u lanë muslimanëve nga profetët e tyre. Hebrenjtë nuk kanë asnjë të drejtë mbi Al-Aksa”, tha Haniyeh.

"Izraeli nuk duhet të mbetet i pandëshkuar"

Lidhur me ngritjen e padisë nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), Haniyeh tha: "Unë dua t'i dërgoj përshëndetje Afrikës së Jugut, e cila ngriti një padi kundër Izraelit dhe solli shtetin pushtues dhe udhëheqësit e tij pushtues në ICJ për hera e parë që nga Nakba".

“Ne e shohim këtë si një hap shumë të rëndësishëm. ICJ-ja duhet të vazhdojë hapat e saj për të ndaluar masakrën në Gaza, për të siguruar hyrjen e ndihmave të nevojshme humanitare në Gaza dhe për të sjellë zyrtarët izraelitë para drejtësisë si kriminelë lufte, kriminelë të Holokaustit dhe autorë të masakrave kundër popullit palestinez”, theksoi ai.

Sipas tij, Izraeli ka kryer masakra prej vitesh dhe këto masakra mbeten të pandëshkuara, duke shtuar se "këtë herë, Izraeli nuk duhet të mbetet i pandëshkuar për këto masakra, krime dhe atentate brutale".

'Izraeli imponon ndërprerjen e mediave'

Duke vlerësuar qëndrimin e mediave për Gazën, Haniyeh tha se ka vëmendje dhe mbështetje të mirë për atë që po ndodh në Gaza në mediat turke, arabe dhe globale.

Ai theksoi se Izraeli po imponon një ndërprerje të konsiderueshme mediatike dhe po pengon anëtarët e mediave të huaja të hyjnë në rajon për të parandaluar ekspozimin e krimeve dhe mizorive të tij që të vihet në vëmendjen e opinionit publik botëror.

Haniyeh u kërkoi mediave turke dhe organeve të tjera që të vazhdojnë të ekspozojnë krimet e Izraelit, duke theksuar përmasat e tragjedisë humanitare në Gaza dhe ndërprerjes së mbylljes së mediave të Izraelit.

Pas takimit të tij me presidentin Erdoğan në Istanbul, ai tha për Anadolu se është hera e parë që flet me një organizatë ndërkombëtare mediatike që nga 7 tetori.

Vrasja e fëmijëve të tij

Haniyeh foli edhe për sulmin në të cilin u vranë djemtë dhe nipërit e tij dhe tha se ai pasqyronte tre pika.

"Së pari, dështimi i armikut për të arritur objektivat ushtarake për shtatë muaj, përveç vrasjes së civilëve, mijëra fëmijëve, grave dhe të moshuarve. Prandaj, Në këtë kontekst përfshihet edhe masakra e kryer gjatë festës ku u vranë tre djemtë e mi dhe pesë nipërit e mi dhe nxjerr në pah dështimin e armikut. Aspekti i dytë është mendimi i gabuar se një masakër e tillë që arrin në shtëpinë time, fëmijët dhe nipërit e mbesat e mia do të ushtrojë presion mbi liderin dhe udhëheqjen e lëvizjes për të bërë lëshime në negociatat në vazhdim, gjë që është mashtruese. Së treti, djemtë e mi janë pjesë e popullit palestinez dhe situata e tyre është e njëjtë me atë të popullit palestinez. Që në fillim thashë se gjaku i djemve të mi nuk është më i vlefshëm se sa fëmijët e popullit palestinez në Gaza, Bregun Perëndimor apo kudo tjetër", theksoi Haniyeh.

Ai shtoi se të gjithë dëshmorët në Gaza, Bregun Perëndimor apo jashtë saj janë fëmijët e tij.

"Prandaj, ne jemi të barabartë në të drejta, detyra dhe sakrifica. Ne i pranojmë këto me vendosmëri dhe vullnet të palëkundur. Pavarësisht kostos dhe sakrificave të kërkuara, ne do të vazhdojmë në këtë rrugë", tha ai.

Haniyeh shprehu mirënjohjen për popullin turk për faljen e xhenazes në mungesë për fëmijët dhe nipërit e tij në më shumë se 30 qytete.

Ai tha se situata në vende të tjera si Pakistani është dëshmi e unitetit të ummetit dhe unitetit të ndjenjave të umetit./aa