Klubi i Vllaznisë njoftoi sot se, merkato e futbollistëve nuk është bllokuar nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA).

Vllaznia bëri të ditur se nga ana e FIFA-s nuk ka asnjë bllokim për transferimin e lojtarëve, përkundër lajmeve që qarkullojnë në disa medie.

“KF Vllaznia sqaron opinonin publik me përgjegjësi të plotë se nuk ka asnjë çështje të asnjë lojtari që është apo ka qenë në marrëdhënie kontraktuale si dhe nuk ka asnjë vendim në fuqi të organeve të drejtësisë sportive që imponojnë bllokimin e merkatos së KF Vllaznia”, lexohet në njoftim.

“Këtë gjë e tregon më së miri edhe fotoja bashkëngjitur që tregon sistemin e transferimit të futbollistëve ku nuk ka asnjë penalitet për KF Vllaznia. Duke qenë të ndërgjegjshëm se lufta për arritjen e objektivave sportive nuk zhvillohet vetëm në fushën e blertë, garantojmë sportdashësit tonë të zjarrtë kudo ku ndodhen se me përkushtim dhe profesionalizëm jemi të vendosur të përballemi me dinjitet ndaj çdo sfide”, njofton Vllaznia./ata