Google ka prezantuar një përditësim të ri në shfletuesin e tij popullor Chrome për sistemet Windows, Mac dhe Linux – por jo të gjithë do të jenë në gjendje ta përdorin atë. Përditësimi thuhet se përmirëson ndjeshëm sigurinë, duke rregulluar një sërë çështjesh me rrezik të lartë.

 

Miliona përdorues të Chrome nuk do të jenë në gjendje të shkarkojnë përditësimin më të fundit pasi nuk mbështet më sistemet që përdorin Windows 7 ose Windows 8. Kjo vjen vetëm një muaj pasi Google njoftoi se kishte ndërprerë mbështetjen teknike dhe të sigurisë për shfletuesit nga java e ardhshme, transmeton Telegrafi.

 

Korporata globale fillimisht kishte plane për të ndërprerë mbështetjen më 15 korrik 2021, por u vonua në dy raste, së pari për shkak të pandemisë COVID-19. Mbështetja për Windows 7 dhe Windows 8/8.1 përfundoi më 10 janar 2023.

 

Chrome 110, që është titulli i përditësimit të ri të rëndësishëm, do t’ju kërkojë përdoruesve të kenë Windows 10 ose më të ri në mënyrë që të shkarkojnë përditësimin. Përmirësimi do të duhej të shkarkohet automatikisht në sistemin tuaj dhe do të zbatohet sapo shfletuesi të riniset.

 

Nëse jeni përdorues i Windows 7 ose 8/8.1 që do të përdorni ende Chrome pavarësisht se nuk jeni në gjendje të aksesoni përditësimin e rëndësishëm, kompjuteri juaj do të vazhdojë të funksionojë, por do të bëhet gjithnjë e më i prekshëm ndaj rreziqeve të sigurisë dhe viruseve.

 

Sistemet tashmë të vjetruara përdoren ende nga miliona përdorues të PC-ve në të gjithë botën, me NetMarketShare që zbulon se 14 për qind e përdoruesve globalë ende përdornin Windows 7 deri në dhjetor 2021. /Telegrafi/