Policia e Belgjikës ka kryer një operacion kundër të ashtuquajturës strukturë mediatike të organizatës terroriste PKK.

Sipas mediave belge, policia federale bastisi zyrat e përdorura nga "Sterk TV" dhe "Medya Haber TV" në qytetin Denderleeuw në rajonin flaman dhe bëjnë propagandë për organizatën terroriste PKK.

Në kuadër të operacionit në të cilin morën pjesë një numër i madh i pjesëtarëve të policisë belge u kontrolluan zyrat e tyre. Gjatë operacionit u sekuestruan disa kompjuterë dhe shumë dokumente.

Kryebashkiaku i Denderleeuw, Jo Fonck konfirmoi se policia kreu një operacion ndaj organizatës terroriste.

Më 25 mars një grup prej rreth 150 mbështetësve të organizatës terroriste PKK/YPG çmontuan barrikadat para Parlamentit Evropian në Bruksel dhe sulmuan policinë. Turma, e cila ka dashur të ecë fillimisht drejt rrugës ku ndodhet Ambasada e Türkiyes në Bruksel dhe më pas drejt sheshit "Schuman", ku ndodhen institucionet e BE-së, është penguar nga policia.

Mbështetësit e organizatës, të cilët vazhduan incidentet e tyre të dhunshme në vend, gjatë së njëjtës natë shkaktuan kaos edhe në fshatin Cheratte në Liege, ku shumica e popullsisë janë turq. Grupi që i vuri zjarrin ndërtesës Ülkü Ocakları sulmoi xhaminë dhe theu xhamat e saj. Anëtarët e grupit, të cilët mbuluan fytyrat dhe ecnin nëpër rrugë duke brohoritur me parulla në favor të organizatës terroriste, dëmtuan shtëpi, dyqane dhe automjete të turqve.

Më 24 mars, mbështetësit e PKK-së, duke u kthyer nga të ashtuquajturat festime të lidhura me Newrozin në qytetin Heusden-Zolder, rreth një orë larg Brukselit, kaluan nëpër rrugën ku ishin përqendruar qytetarët me origjinë turke, duke mbajtur rroba që simbolizonin organizata terroriste dhe posterë të liderit Abdullah Öcalan në makinat e tyre. Për këtë kanë reaguar qytetarët me origjinë turke që jetojnë në qytet dhe më pas ka ndodhur një incident.

Kryeministri belg, Alexander De Croo tha: "Të tregosh simpati dhe provokim ndaj një organizate të klasifikuar si organizatë terroriste, siç është PKK, nuk mund të tolerohet"./aa