Në Luksemburg u mbajt Forumi i fokusuar në sigurinë rajonale mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC).

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dha deklaratë nga llogaria e tij X pas "Forumit të Nivelit të Lartë për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Rajonal" të mbajtur në Luksemburg midis BE-së dhe vendeve të GCC-së që përbëhen nga Arabia Saudite, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Omani, Kuvajti dhe Katari.

Borrell tha se ai kryesoi forumin e parë në këtë format. "Në kohë trazirash ne kemi nevojë të punojmë së bashku më shumë se kurrë për të zgjidhur krizat, për të parandaluar përshkallëzimin dhe për të mbështetur një mjedis ndërkombëtar më të sigurt dhe më të qëndrueshëm", theksoi ai.

Ndërsa në hapje të takimit, Borrell tha se në rend dite do të përfshihen zhvillimet në Lindjen e Mesme, kryesisht në Rripin e Gazës si dhe situata në Ukrainë.

Duke iu referuar tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, Borrell tha se me partnerët e GCC-së do të diskutojnë se si të punojnë së bashku për të ulur tensionet në rajon. Ai tha se ishte i kënaqur me vendimin e marrë nga Komisioni Evropian për harmonizimin e rregullave lidhur me dhënien e vizave të shumëfishta për vendet e GCC-se brenda BE-së.

Në Forum morën pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së dhe homologët e tyre nga vendet e GCC-së./aa