Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh sot se aktualisht qyteti paguan për grumbullimin e mbetjeve në landfill shumë më lirë se sa në kohën kur bashkia drejtohej nga koalicioni Meta-Berisha.

 

I pyetur në lidhje me akuzat e opozitës për plehrat, në një intervistë televizive, Veliaj tha se ata që kanë firmosur kanë qenë ministrat e Ilir Metës.

 

“Duhet pyetur çdo ditë si e ka emrin kjo partia, se një parti që s’ka probleme, nuk ka pse ndërron emrin. Si ai njeriu që ka një të kaluar kriminale dhe ndërron emrin se i duhet një identitet të ri që mos të kujtohet që ka qenë trafikant droge, ose ka bërë burg. Si një parti që ka probleme me identitetin e vet ndërron emër përditë. Po nuk kanë qenë ministrat e mi, kanë qenë të Ilir Metës këta që kanë firmosur. As nuk kanë qenë stafet tona, kanë qenë të Ilir Metës, kështu që këtyre qartazi u është prishur pazari brenda shtëpisë së tyre dhe këta lajnë hesapet me njeri – tjetrin. Të më pyesësh që është një gjë e madhe që Partia e Lirisë, ose ish-LSI-ja, i bie mbrapa plehrave, Partia e Lirisë, mbaj mend gjithmonë mbrapa plehrave i ka rënë, në të gjitha kuptimet e fjalës. Kështu që, këtu s’kam ndonjë habi që rrinë gjithë ditën pas kazanëve”, tha Veliaj.

 

Ai nënvizoi se sot Tirana është shumë herë më e pastër me 1/3 e çmimit më pak se në kohën e administratës së kaluar.

 

“Ata duhet të kuptojnë që bashkia e Tiranës grumbullon plehrat dhe i çon në landfill, edhe aty te dera e landfillit mbaron me punën e vet. E bën këtë me një çmim 1/3 më e lirë se koalicioni Ilir Meta –Sali Berisha, kur Monika dhe Luli drejtonin bashkinë e Tiranës. Qyteti sot është më i pastër me 1/3 e çmimit më pak se ç’i kishte Ilir Meta me Sali Berishën dhe Mona me Lulin kur ishin në bashki. Kjo më intereson mua si kryetar bashkie, që pa rritur taksat, të ofroj një shërbim që është më lirë sesa ajo që propozoi koalicioni i tyre. Pastaj, si i bien këta mbrapa plehrave, si sherrosen me njeri – tjetrin dhe anëtarët e partisë së tyre, se krejt papritur këta ishin personazhe shumë të mirë kur ishin me Ilir Metën dhe Monikën”, tha Veliaj.

 

Kreu i bashkisë nënvizoi se përgjegjësia është individuale dhe kush shkel ligjin do të shkojë para drejtësisë.

 

“Tirana do vazhdojë të pastrohet, kush nga personazhet e përfshirë ka bërë gabime, të shkojë të mbajë përgjegjësinë e vet. Por s’do lëmë Tiranën zhul, meqë atyre u shijonte zhuli dhe plehrat mullar kur e drejtonin këta Tiranën”, deklaroi Veliaj.