vNë kuadër të Ditës Botërore të Librit, Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) zhvilloi një takim letrar ku i ftuar ishte një ndër figurat më të spikatura të penës, mendimit dhe krijimit letrar, Primo Shllaku.

Në prani të Klubit të Librit të gjimnazit “Çajupi” Tiranë, Primo Shllaku ndau në “Personazhe në Fokus” rrëfime nga jeta e tij personale dhe profesionale përpara të rinjve që duan të përqafojnë fort botën e madhe të librit.

Profesor Primo Shllaku solli për të pranishmit në COD, një rrëfim ekskluziv mbi marrëdhënien me librin, krijimtarinë dhe përkthimin në dy epoka, para viteve ’90 dhe pas, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë bashkëbisedimi, të gjitha nën petkun e një origjinaliteti unik.

Primo Shllaku lindi në Shkodër në 1947. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi shqipe. Punoi si mësues në zonën e Shllakut -Shkodër, prej aty në shkollën pyjore e më pas në atë industriale. Bir i regjisorit, Artistit të Popullit, Lec Shllaku, nip i përkthyesit të famshëm Gjon Shllaku, vëllai i aktorit të Teatrit “Migjeni”, Bruno Shllaku. Nder veprat më të rëndësishme të tij janë vëllimet poetike “Lule nate” dhe “Hana e njelmët e ditës”, “Muzikantët”, “Pesha e padurueshme e pafajësisë”, “Nji Uliks që s’mbërriti kurrë në Itakë”, dhe libri me drama, “Aktorë pa kujtesë”./ata