Muzeu Kombetar “Shtepia me gjethe” përkujtoi sot qëndrestarin dhe martirin antikomunist Sami Dangëllia (13 korrik 1920 – 23 prill 1987).
Dangëllia lindi në Menkulas të Korçës. Në vitet 1942-43 shërben në karabinieri dhe më pas u inkuadrua në radhër e Ballit Kombëtar. Arrestohet në fund të vitit 1944 dhe u dënua më 1945 si “kriminel lufte dhe armik i popullit” me burgim të përjetshëm, punë të detyruar, konfiskim pasurie dhe humbjen e të drejtave qytetare. Nga ky moment, Sami Dangëllia nuk do të jetonte më asnjë ditë lirie.
Në shtator 1954 u lirua nga burgu dhe u vendos në internim në Shtyllas të Fierit. Në nëntor 1959, Sami Dangëllia arrestohet në pikën kufitare të Nikolicës në Korçë, ku po tentonte të arratisej drejt SHBA nëpërmjet Greqisë së bashku me Haxhi Mekollin. Dënohet nga Gjykata ushtarake e Tiranës me 25 vjet burg, heqje e te drejtave qytetare dhe konfiskim të pasurisë, ndonëse s’kishte më asnjë lloj pasurie. Në burg u ridënua me 25 vjet të tjera si fajtor për “pjesëmarrje në organizatë kundër pushtetit, sabotim dhe agjitacion e propagandë” në Revoltën e Spaçit të vitit 1973. Gjatë zhvendosjes nga reparti i Zejmenit për në repartin e të burgosurve në Shën Vasil të Sarandës, ndërroi jetë më 23 prill 1987. Gjithsej vuajti 38 vjet burg dhe 5 vjet internim, që përbën dhe kohëzgjatjen më të madhe që një i dënuar ka vuajtur gjatë regjimit komunist./ata