Frank-Walter Steinmeier është presidenti i parë gjerman që viziton Turqinë pas 10 vitesh. Në fillim të vizitës treditore të hënën, ai theksoi rolin e emigrantëve turq në ngritjen ekonomike të Gjermanisë.

Pothuajse tre milionë njerëz me origjinë turke jetojnë sot në Gjermani dhe “marrin pjesë në ndërtimin dhe formësimin e shoqërisë sonë”, tha Steinmeier në Stamboll. “Ata e ndërtuan vendin tonë, e bënë të fortë dhe janë në zemër të shoqërisë sonë”.

Vizita filloi në stacionin hekurudhor të Sirkecit, nga ku udhëtonin shumë turq.

Por atu u shfaqën mbështetësit e palestinezëve, rreth pesëdhjetë sosh, të cilët brohoritën duke mbajtur slogane dhe pankarta me portrete, krah për krah, të Steinmeier dhe Adolf Hitler. Mund të shiheshin gjithashtu yjet blu të Davidit dhe svastikat e kuqe.

Forcat e sigurisë nuk mundën të frenonin protestuesit, por Steinmeier e mbajti fjalimin e tij pa ndërprerje.

Presidenti gjerman kujtoi se ka pasur edhe migrim në drejtim të kundërt. Në shekullin e 19-të, varfëria dhe papunësia i detyruan zejtarët nga Gjermania të udhëtonin në Anadoll. Gjatë kohës së nazistëve, shumë artistë dhe intelektualë gjermanë gjetën strehim në Turqi.

“Ndërsa gjermanët në vitet 1930 morën pjesë në ndërtimin e Ankarasë, kryeqytetit të ri, punëtorët mysafirë nga Turqia ndihmuan zhvillimin e ekonomisë së Republikës së re Federale (të Gjermanisë) që nga vitet 1960”, tha Steinmeier, duke shtuar se ndërkohë, katër breza njerëzish me origjinë turke kanë kontribut vendimtar për mirëqenien e Gjermanisë.

Steinmeier u prit në stacionin e trenit nga kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, në pritje për t’u takuar me presidentin Erdogan në fund të vizitës së tij, në Ankara, shkruan dpa. /tesheshi.com/