Mohamed Faris, siriani i parë që shkoi në hapësirë me sovjetikët, ka vdekur në moshën 72-vjeçare, njoftoi dje miku i tij i ngushtë. Një muaj më parë ai kishte pësuar një atak në zemër.
Ai dha frymën e fundit në qytetin turk Gaziantep, ku jetonte në mërgim që nga viti 2012. Në vitin 1987, Faris u bë hero kombëtar në Siri, si i pari nga vendlindja e tij që arriti në hapësirë me sovjetikët. Pastaj u bë refugjat. Ai dezertoi në Turqi ndërsa vendosi t’i bashkohej revolucionit kundër të njëjtës qeveri të Asadit të cilës i shërbente.
Ai ka qenë një pilot luftarak, një kozmonaut, një këshilltar ushtarak i qeverive të Asadit, një protestues, një rebel dhe një dezertor, siç raportohet nga rrjeti amerikan.
Në Siri, një shkollë, aeroport dhe rrugë janë emëruar me emrin e tij. Ai vetë, si refugjat politik në Turqi, revolucionin e bëri me fjalën e tij, jo me armë. Faris ishte arabi i dytë që shkoi në hapësirë dhe i pari nga Siria. Ai qëndroi në hapësirë për gati 8 ditë. Konkretisht për shtatë ditë, 23 orë e 5 minuta që i ndryshuan jetën, siç kishte deklaruar.
“Kur e shihni planetin tonë nga hapësira, nuk kemi më ne dhe ata, nuk ka politikë”, do theksonte ai pas kthimit në Siri.
Ai vinte nga një familje e varfër dhe kishte mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore vetëm dy vjet përpara se të zgjidhej si kozmonaut. Ai i kishte kërkuar presidentit të atëhershëm të Sirisë që të themelonte një institut kombëtar hapësinor në vend, por përgjigja ishte negative. “Hafez Assad, babai i Bashar al-Asadit, donte t’i mbante njerëzit të pashkolluar dhe të ndarë, me mirëkuptim të kufizuar. Kështu qëndrojnë në pushtet diktatorët. Edhe mendimi për t’u dhënë njerëzve njohurinë që një institut hapësinor do t’u jepte atyre, konsiderohej i rrezikshëm”, do argumentonte ai.
Qeveria më pas caktoi Farisin për të trajnuar pilotët e rinj. Në vitin 2000, kur Hafez Assad vdiq dhe u pasua nga djali i tij Bashar, Faris ishte ndër të parët që e takoi atë. “Ashtu si babai i tij, Bashar ishte një armik i shoqërisë,” tha ai.
Si kreu i akademisë së forcave ajrore të vendit të tij, ai u bë këshilltar ushtarak me shpresën se do të lejohej të drejtonte shkollën e forcave ajrore në heshtje dhe qetësi. Mirëpo, kur në vitin 2011 u ndez fitilja e “Pranverës Arabe” në Siri, filluan protestat. Fillimisht ata ishin të qeta, për shumë muaj. Dhe Faris iu bashkua gruas së tij në një demonstratë në Damask duke bërë thirrje për reforma paqësore.
Pastaj mbështetësit e qeverisë e kërcënuan dhe e paralajmëruan që të mos merrte pjesë në demonstrata, por ai nuk e bëri. Kur filloi dhuna, Faris pa ish-studentët e tij me tru të shpëlarë që filluan të sulmonin bashkëqytetarët e tyre.
Pasi situata kishte arritur në një ngërç, ai, gruaja dhe tre fëmijët e tyre arritën të arratiseshin nga Siria. Pa ngjallur dyshime, ata hipën në makinën e tyre dhe u larguan përtej kufirit turk në gusht 2012. Në qytetin e Gaziantep, Faris iu bashkua një organizate opozitare që kërkon që në Siri të bëhen ndryshime pa derdhur asnjë pikë gjaku. Ai ishte i përfshirë edhe në ndihmën e bashkatdhetarëve të tij refugjatë.
Ëndrra e tij ishte të kthehej në shtëpi, të ulej në kopshtin e tij dhe të shikonte fëmijët duke luajtur pa rrezikun e bombave. Por astronauti i parë nga Siria që shkoi në hapësirë, vdiq në mërgim. /tesheshi.com/