Është rritur në 17 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e ushtrisë izraelite ndaj kampeve të refugjatëve të qyteteve në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe që vazhdojnë në ditën e dytë.
Sipas deklaratës së zëdhënësit të ushtrisë izraelite, ushtarët izraelitë vranë 5 palestinezë në një përleshje të armatosur në kampin e refugjatëve Tulkarm në qytetin Tulkarm.
Thuhet se në mesin e personave të vrarë në sulme ishte Muhammed Jabir, me nofkën "Abu Shujaa", një nga drejtuesit e grupeve të rezistencës së armatosur palestineze në "Nur Shams".
Ushtria izraelite tha se një nga ushtarët e saj u plagos lehtë në përleshje dhe u shtrua në spital. Burime shëndetësore palestineze konfirmuan për Anadolu lajmin se Abu Shujaa ka ndërruar jetë.
- Një palestinez u vra në Jenin
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se edhe një person është vrarë në qytetin e Jeninit. Në deklaratë thuhet se ekipet e Gjysmëhënës së Kuqe kanë transferuar trupin e një palestinezi të vrarë në rrethin Sharki të Jeninit.
Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e nisura nga Izraeli në orët e mëngjesit të së mërkurës, është rritur në 17.
- Izraeli u tërhoq nga kampi i refugjatëve Al-Faria, shton bastisjet në Tulkarm
Ushtria izraelite u tërhoq nga kampi i refugjatëve Al-Faria pranë Tubas ndërsa vazhdon sulmin "në shkallë të gjerë" që nisi dje në veri të Bregut Perëndimor. Sipas informacionit të marrë nga dëshmitarët okularë, forcat izraelite zgjeruan shtrirjen e sulmit në Tulkarm dhe bastisën kampet e refugjatëve dhe shtëpitë palestineze në rajon. Nga shumë pika në Tulkarm herë pas here dëgjohen shpërthime.
Forcat izraelite vazhdojnë bastisjet e tyre në kampin e refugjatëve "Nur Shams" në Tulkarm. Ushtarët izraelitë mbyllin të gjitha hyrjet dhe daljet e kampit dhe bastisin shtëpitë, kryejnë "hetime" ndaj palestinezëve pa i dërguar në asnjë qendër apo burg.
Ka përleshje mes ushtarëve izraelitë dhe palestinezëve dhe herë pas here dëgjohen shpërthime. Forcat e ushtrisë izraelite në rajon kanë dërguar përforcime. Përveç kësaj, buldozerët që shoqërojnë forcat izraelite po shkatërrojnë infrastrukturën në qytet dhe kampin dhe po tërheqin zvarrë automjetet në rrugë.
Sipas dëshmitarëve, ushtria izraelite u tërhoq nga kampi i refugjatëve Al-Faria pranë Tubas pas më shumë se 30 orësh bastisje. Pajisjet e ndërtimit që i përkisnin ushtrisë izraelite dëmtuan infrastrukturën dhe pronat private në qytetet palestineze. Të shtëna armësh dhe shpërthime janë dëgjuar gjatë natës dhe në mëngjes në qytetet Tulkarm dhe Jenin.
Në rajon po fluturojnë edhe mjete ajrore pa pilot që i përkasin ushtrisë izraelite.
Me bastisjet e fundit, të paktën 670 palestinezë janë vrarë në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që uzurpuan tokat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor që nga 7 tetori 2023./aa