Bashkia Librazhd është një tjetër bashki që do të krijojë, zgjerojë apo përmirësojë shërbimet e përkujdesit social për qytetarët, në kuadër të përfshirjes në programin “BE për Kujdesin Social”.

Kryebashkiaku Mariglen Disha gjatë një takimi që zhvilloi me përfaqësues të Zyrës së BE-së në Tiranë, u njoh me mundësitë që ofron EU4SocialCare, program i cili financohet nga BE dhe zbatohet nga UNICEF Albania dhe World Vision Albania, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Qëllimi i programit që zbatohet në 14 bashki të vendit është fuqizimi i kapaciteteve qendrore dhe vendore për të krijuar dhe ofruar shërbime sociale për qytetarët në përputhje me standardet e BE-së, duke siguruar mbështetje të barabartë dhe efektive për qytetarët në rrezik të përjashtimit social.

Qeveria ka në fokus investimet për mbrojtjen sociale, si investimi më afatgjatë dhe i drejtpërdrejtë, tek e gjithë shoqëria.

Konkretisht EU4SocialCare, mbështet 14 bashki të vendit për një periudhë prej 36 muajsh, me qëllim ngritjen dhe shtrirjen e shërbimeve të kujdesit social që trajtojnë nevojat dhe të drejtat e grupeve të cenueshme, si fëmijët me aftësi të kufizuara, gratë në rrezik, dhe të rinjtë në situata të vështira./ata