Akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave, u prit nga drejtuesit e Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë dhe në Institutin e Antropologjisë, në një takim që pati si qëllim njohjen me propozimet e instituteve për programin e veprimtarisë së tyre dhe të ASHSH për vitin 2024, si viti i parë me funksionim të përbashkët, rezultat i reformës se ASHSH.

Akad. Gjinushi theksoi se bashkimi i instituteve të albanologjisë dhe përfshirja në rrjetin e kërkimit shkencor të saj, ishte një nevojë shkencore.

Ai shpjegoi përmbajtjen e kreut shtesë në Statutin e Akademisë. Në thelb shtesa në Statut, përveç garantimit të statusit të punonjësit shkencor në kërkim elitar, synon që t’u sigurojë atyre ekuivalencë në tituj shkencorë edhe me profesoratin e universiteteve, pavarësisht se mund të mos kenë kontribut thelbësor në mësimdhënie. Për këtë qëllim u parashikua në Statut e drejta për të fituar titujt shkencorë kryesisht me veprimtari kërkimore, duke përfshirë titujt “Mjeshtër kërkimesh” dhe “Drejtues kërkimesh”.

Sipas ligjit, pranë Akademisë janë krijuar komisionet e përhershme, që në fakt është bashkësia e specialistëve më të mirë të fushës, ku mund të diskutohen e vlerësohen nismat dhe projektet shkencore. Në komisione dy të tretat e anëtarëve janë nga universitetet dhe qendrat kërkimore dhe vetëm një e treta nga trupa akademike.

Gjatë bashkëbisedimit u shtruan probleme për shtimin e kapaciteteve intelektuale, formimin e specialistëve në fushat e reja, bashkëpunimin në kuadër të marrëveshjeve ekzistuese e të reja (sidomos me arkivat), për një politikë të harmonizuar botimesh, për botimet e numerizuara dhe të kapshme në platforma të dijes dhe për shumë çështje të tjera. Në Institutin e Antropologjisë u theksua sidomos rritja e kujdesit shtetëror për fondet e etnografisë dhe arkivat e folklorit, që janë trashëgimi e jashtëzakonshme dhe e paçmuar kombëtare./ata