Blegtorja dhe aktivistja Gerta Loku denoncoi sërish në media mungesën e politikave mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë për fermerët dhe blegtorët. Loku shprehu hapur në emisionin "Kafe shqeto" pakënaqësinë për mungesën e përkrahjes nga qeveria, teksa ajo që shikon është vetëm një propagandë politike. Ajo solli rastin e Kosovës ku tha se fermeri atje është i lumtur sepse mbështetet nga qeveria, ndërsa tha me ironi se do të emigronte bashkë me dhitë në Kosovë.

"Të zgjohesh në mëngjes për vite e vite me radhë dhe të dëgjosh të njëjtën propagandë politike në televizor dhe shikon që kjo propagandë politike nuk arrin në terren, dhe jo vetëm tek unë, por tek gjithë pjesa më e madhe e të gjithë atyre femrevë që njoh, këtu them diçka nuk shkon. Këtu, në Shqipëri, sot fermerët janë një kategori shumë e pakënaqur nga ajo çfarë bëhet atje në Tiranë,"- u shpreh Loku.

Pak ditë më parë Gerta Loku tha se shpenzoi një shumë të konsiderueshme të hollash dhe shumë orë punë për të plotësuar dokumentacionin për të përfituar nga skema e subvencioneve IPARD të Bashkimit Europian, por nuk mori financim, sepse duhej paguar sekseri nën dorë.

“Ditën që do të dorëzoja dosjen, nuk më hapën telefonin. Skema funksionon e tillë: Duhet të gjesh një sekser që të sigurojë fondin në këmbim të 30% të vlerës së subvencionit. Duke qenë person i njohur në publik dhe aktiviste nuk më ofrohet as sekseri,”- tha Loku, e cila nuk ka përfituar nga skema IPARD edhe pse i plotëson kushtet.

Vitet e fundit, fondet nga skema IPARD në bujqësi janë rritur. Këtë vit, nga ky program janë në dispozicion 42 milionë euro, gati 30% më shumë se vitin e kaluar. Por shpërndarja nuk është e tillë që të mbështesë zhvillimin e klasterit, qoftë në bujqësi apo blegtori, me qëllim zhvillimin e të gjithë zinxhirit të një produkti në një zonë ku fizibiliteti është i lartë.

Vitin e kaluar, financimet nga skema kombëtare ishin 1,5 miliardë lekë nga rreth 1 miliard lekë në vitin 2021. Rreth 6,211 blegtorë përfituan nga Skema e Mbështetjes, në vitin 2022, kundrejt 4 316 blegtorëve që përfituan në vitin 2021.

Skema Kombëtare që aplikohet nga AZHBR mbështet fermat mbi 100 krerë dele dhe/ose dhi, shkon në vlerën 1200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 lekë për subjekt. Ndërsa për fermat me jo më pak se 10 krerë lopë, mbështetja është në vlerën 10 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt.Një raporti i FAO-s (dega e ushqimit në OKB) tregon se fermerët shqiptarë marrin vetëm 3 euro mbështetje direkte për hektar nga shteti, ndërsa 42 euro shkojnë për institucionet dhe subjektet që monitorojnë sektorin e bujqësisë.

Kjo është e kundërta e situatës në vendet e tjera, ku pjesa më e madhe e fondeve shkojnë drejtpërdrejt te fermeri. Në Kosovë, 69 euro për hektar shkojnë për fermerin dhe 54 euro për administratën, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë, 66 euro për hektar i shkojnë fermerit dhe 60, administratës.

Mesatarisht, vendet e Ballkanit Perëndimor u dhanë fermerëve të tyre rreth 53 euro për hektar, ndërsa në Shqipëri, kjo shifër ishte 18 herë më pak, me vetëm 3 euro. Raporti i FAO-s thekson se qeveria ofron shumë pak në mënyrën e financimit publik për fermerët dhe paratë e përcaktuara për këtë sektor nuk shkojnë aty ku duhet.

Me këtë nivel financimi, në raport thuhej se shteti nuk ofron asistencë të mjaftueshme për fermerët, për të përballuar konkurrencën në treg, për të parandaluar shpopullimin rural, apo për të rritur produktivitetin. Si i tillë, vendi duhet të rrisë urgjentisht financimin e drejtpërdrejtë dhe të përmirësojë funksionimin e institucioneve, në mënyrë që fondet të absorbohen siç duhet.

Për të përmbushur kriteret e BE-së, Shqipëria duhet të ndajë ekuivalentin me një të tretën e asaj që pret në financimin e BE-së. Prandaj, Shqipëria duhet të pesëfishojë alokimin e saj për bujqësinë. Puna në bujqësi është e vështirë, por në Shqipëri është edhe stresuese. Fermerët shqiptarë janë të ekspozuar nga ndryshimi i klimës, mungesa e ekspertizës, laboratorëve, certifikimeve etj./SyriTv