Parku Kombëtar Mali i Tomorit vijon të tërheqë të pasionuarit pas turizmit malor.

 

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga rrugëtimi i një grupi turistësh të shoqëruar nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Berat përmes shtegut “Teqeja e Abaz Aliut – Varri i Abaz Aliut”.

 

Kumbaro tha se “në malin e Tomorit bora vazhdon edhe në pranverë duke ofruar peizazhe unike për të njohur nga afër jo vetëm vende të shenjta, por edhe pjesën jugore të Malit të Tomorit”.

 

“Me një gjatësi prej rreth 7 kilometra, ky shteg është një mundësi fantastike për të shijuar natyrën e kulturën, gjithmonë nën drejtimin e guidave të certifikuara”, tha Kumbaro.

 

Mali i Tomorit është një destinacion gjithëvjetor, deri në krijimin e bazave akomoduese dhe mikpritëse, vera do të jetë stina kryesore e turizmit.

Ky park ka një sipërfaqe prej 24 723 ha dhe ndodhet në lindje të qytetit muze të Beratit. Ai shtrihet në 2 qarqe të mëdha si ai i Beratit dhe i Elbasanit. Ai përbëhet nga 12 monumente natyrore, 2 biomonumente, 10 gjeomonumente, si dhe 125 burime natyrore, të cilët befasojnë turistët./ata