Nga Nektaria Stamouli, Kathimerini

Votuesit në Maqedoninë e Veriut shkojnë sot në votime në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Ky proces dhe zgjedhjet parlamentare të majit, do të përcaktojnë edhe perspektivën e vendit për t’u anëtarësuar në BE.

Vendi i vogël ballkanik e ndryshoi emrin në vitin 2018, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë. Ai akt i hapi rrugën anëtarësimit në NATO dhe BE. Por edhe pse arriti të hynte në NATO në vitin 2020, pranimi në BE ka ngecur për një sërë arsyesh, përfshirë një mosmarrëveshje me Bullgarinë mbi gjuhën dhe trashëgiminë kulturore.Por edhe nga lodhja e disa vendeve anëtare nga zgjerimi i BE-së.

Sondazhet tregojnë se partia kryesore konservatore e opozitës VMRO-DPMNE, ruan një epërsi në sondazhe dhe pritet të zëvendësojë socialdemokratët e LSDM, që e kanë drejtuar vendin që nga viti 2017. Edhe pse për të formuar një qeveri do të nevojitet një koalicion.

Shtatë janë kandidatët në garë. Por dy kryesorët janë presidenti aktual Stevo Pendarovski, i cili mbështetet nga SDSM në pushtet dhe Gordana Siljanovska-Davkova, e cila mbështetet nga opozita kryesore konservatore VMRO-DPMNE. Raundi i dytë pritet të zhvillohet më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Që të jetë i vlefshëm, në të duhet të marrin pjesë më shumë se 40 për qind e 1.8 milionë votuesve të regjistruar. VMRO-DPMNE ka deklaruar vazhdimisht se është kundër ndryshimeve kushtetuese të “diktuara” nga Bullgaria, teksa ka bërë thirrje për një kornizë të re për procesin e negociatave me BE-në.

Kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski, është shprehur gjithashtu se nëse zgjidhet kryeministër, do t’i referohet vendit vetëm si “Maqedoni”, pavarësisht nga Marrëveshja e Prespës. Ndaj, rezultati i zgjedhjeve mund të futë sërish në krizë marrëdhëniet dypalëshe të Maqedonisë së Veriut me Greqinë dhe Bullgarinë, dhe ta ndërlikojë më tej procesin e anëtarësimit të saj në BE.

Votuesit janë në përgjithësi të shqetësuar për përkeqësimin e cilësisë së jetës, korrupsionin dhe ikjen e vazhdueshme të më të arsimuarve. “Në vend dominon ndjenja se qeveria aktuale nuk e përmbushi dot premtimin e saj kryesor: S’ka drejtësi pa paqe”, thotë Simonida Kacarska nga Instituti i Politikave Evropiane në Shkup.

Sipas saj, votuesit janë të shqetësuar nga përkeqësimi i situatës në sistemin shëndetësor, arsimor dhe për shpopullimin. Dhe këto çështje janë shumë të lidhura me zhvillimin politik dhe ekonomik, i cili është i lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, mbështetja për këtë të fundit ka rënë në 65 për qind, nga 85-90 për qind që ishte kur vendi mori statusin e kandidatit në vitin 2005.

Pasi u la për shumë vite në dhomën e pritjes, po sfidohet seriozisht perspektiva evropiane e vendit. “Për rajonin, Maqedoninë e Veriut dhe për vetë besueshmërinë e procesit të zgjerimit, momenti më negativ ishte vetoja franceze e vitit 2019, menjëherë pas përparimit të nxitur nga Marrëveshja e Prespës dhe ndryshimi i emrit”, thotë Marko Trosanovski, drejtori i Instituti për Demokraci IDSCS në Shkup.

Ajo veto ishte një gabim i madh historik, pasi një  kohë të shkurtër pati një entuziazëm, por më pas erdhi zhgënjim nga qasja e Parisit.  Më pas, pasoi vetoja bullgare, me Sofjen që këmbëngul ende se do të heqë veton vetëm nëse Shkupi njeh pakicën bullgare në kushtetutën e vendit.

“Në ramë viktimë e lodhjes nga zgjerimi në BE, ndërsa udhëheqësit e vendeve të rajonit sapo e ndërprenë punën e nevojshme që ishte bërë”, thekson Kacarska. Ajo nënvizon se rëndësia gjeopolitike e zgjerimit është ringjallur disi pas pushtimit rus të Ukrainës, por kjo kërkon kohë dhe përpjekje të qëndrueshme nga të dyja palët.

Negociatat e anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nisën më në fund në vitin 2022. Por Bullgaria nuk po tërhiqet nga kushti dhe për të miratuar ndryshimet kushtetuese kërkohet një shumicë prej 2/3 në parlament. Analistët mendojnë se ka shumë gjasa që pavarësisht retorikës së ashpër që përdor VMRO, të arrihet një marrëveshje politike për kalimin e ndryshimeve. Sepse si LSDM-ja në pushtet, ashtu edhe VMRO në opozitë, bien plotësisht dakord se BE-ja dhe NATO-ja janë prioritete strategjike për vendin. Cilado qeveri që do të zgjidhet, nuk do të ketë një shumicë të cilësuar, ndaj do të duhet një konsensus politik, sikurse ndodhi me ndryshimin e emrit.

Ndërkohë, partitë shqiptare do të luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e qeverisë së re, por edhe në miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Tradicionalisht, të paktën njëra nga partitë e komuniteti shqiptar, që përbën 25 për qind të popullsisë së vendit, është pjesë e qeverisë së koalicionit qeverisës.

Gjatë 20 viteve të fundit, skena politike ka qenë e dominuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partia më e madhe politike shqiptare etnike në Maqedoninë e Veriut dhe partia e tretë më e madhe politike në vend. “Shumë raste të nepotizmit, mosndëshkimit dhe shumë shenja të korrupsionit të nivelit të lartë, çuan në krijimin e një blloku të ri opozitar të partive më të vogla shqiptare, i cili ka grumbulluar një mbështetje të konsiderueshme përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare”, thotë Trosanovski.

Potencialisht blloku i ri mund të bashkohet me një koalicion me VMRO-në, ndërsa të dyja partitë kanë propozuar kandidatë në zgjedhjet presidenciale. “Vlen të theksohet se prania e dy kandidatëve shqiptarë është një mjet për një ndikim më të madh rajonal të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit mbi shqiptarët etnikë në Ballkanin Perëndimor me akte të herëpashershme ta hapura dhe ndërhyrje të nënkuptuara në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut”, vë në dukje Trosanovski. /tesheshi.com/