SPAK ka vendosur të mos marrë në shqyrtim kallëzimin penal të vëllait të kryeministrit Olsi Rama ndaj kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi.
Në vendimin e plote që Top Channel disponon thuhet se kallëzimi i Ramës ndaj Bardhit është pushuar për shkak se Gazment Bardhi nuk bëri kallëzim në prokurori për implikimin e vëllait të kreut të qeverisë në laboratorin e Xibrakës.
“…Gazment Bardhi nuk ka depozituar kallëzim penal në prokurori apo në policinë gjyqësore për shtetasin Olsi Rama. Përderisa nuk provohet se i kallëzuari e ka kryer faktin që është kallëzuar, atëherë nuk provohet as faji, pasi nuk provohet si element intelektual as edhe ai voluntiv që të ekzistojë faji si element thelbësor i përgjegjësisë penale…”, thuhet ne shkresën qe prokurori i SPAK ju ka përcjellë palëve.
Kështu, në ndryshim nga sa pretendoi në publik se kishte bërë kallëzim penal me faktet e reja që kishte zbuluar, Bardhi nuk ka depozituar një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme kundër Olsi Ramës, por është mjaftuar vetëm me zhurmën në publik.
“Gjatë shqyrtimit të akteve rezultoi se me shkresën nr. 5383/1 datë 15.04.2024 (kthim përgjigje) citohet fakti se pranë zyrës së regjistrit dhe statistikës në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pas verifikimeve të kryera, nuk rezulton se shtetasi Gazment Bardhi të ketë depozituar ndonjë kallëzim ndaj shtetasit Olsi Rama”, thuhet në dokumentet e mëposhtme”, thuhet në vendimin e SPAK./TopChannel