Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Berlin të Gjermanisë ka zhvilluar takim bilateral me ministren e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, çështjet kryesore për të cilat u diskutua në këtë takim ishin marrëdhëniet dypalëshe, reformat demokratike, integrimi evropian i Kosovës, me theks te procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si dhe energjia.
Kryeministri Kurti falënderoi shtetin gjerman për ndihmën e madhe vit pas viti, rolin aktiv në zhvillimin dhe përparimin e Republikës së Kosovës dhe për partneritet të afërt.
Kurti shprehu mirënjohje për përkrahjen e Gjermanisë për kandidaturën e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe theksoi rëndësinë kyçe të mbështetjes së qeverisë gjermane deri në anëtarësimin e plotë.
Ky ishte takimi i tretë në më pak se tri vjet ndërmjet kryeministrit Kurti dhe ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Baerbock./aa