Partia e Lirisë mban sot Konventën Kombëtare të cilën kreu i saj, Ilir Meta e cilësoi historike. Sipas tij, në Konventë do miratohen vendime historike për vënien në jetë të 5 prioriteteve kryesore për 4 milion shqiptarë plus.
Ndërsa hynte për të marrë pjesë në punimet e Konventës Kombëtare, deputetja e Partisë së Lirisë, ish-kryetare e kësaj partie (LSI-së), Monika Kryemadhi, në një prononcim për mediet, deklaroi se nuk beson tek fraksionet e pyetur për pozicionin e saj brenda partisë.
“Besoj tek vërtetësia e secilit nga ne. Beteja e Kryemadhit është një betejë që ka të bëjë me rritjen dhe përgatitjen e shumë figurave të reja. Ashtu si Erisa Xhixho është kandidate për zv/presidente, do të thotë se PL ka elementin civilizues, dhe kjo të mos kthehet në fasadë por të prodhojë vlera. Ajo çka dua të them është që aktrimi në politikë nuk iu shërben të rinjve dhe të rejave”, tha Kryemadhi.
E pyetur si ndihet që tashmë pas kaq shumë vitesh në politikë po lihet jashtë strukturave, Kryemadhi u shpreh se ndjen keqardhje.
“Normal që ndiej keqardhje pasi nuk mund të fshish 30 vite me një vendim për shkak se ke zgjedhur të ndërtosh familje dhe jo përfitime. Për mua familja është e rëndësishme. Në 30 vjet jam investuar që në FRESSH. Jam një nga akademitë politike më të vjetra në Shqipëri. Ka ardhur koha që prioritetet e Kryemadhit janë Bora, Besi dhe Era. Në 30 vjet Monika ka qenë gladiatore në arenën e luftës, por do të shikoj prioritete të tjera. Kam mbushur 50 vjeç. Jeta është shumë e gjatë, çfarë sjell minuti nuk e sjell sekondi”, shtoi Kryemadhi.
Kryemadhi bëri të ditur se në këtë Konventë do të propozojë buxhetimin e grave kandidate në fushatë elektorale, si dhe evitimin e konfliktit të interesit.
“Konflikti i interesit është shkaku i rrënimit të një partie, ndaj anëtari i partisë nuk mund të propozojë individë me të cilët ka konflikt interesi. Pra, çështja e emërimeve duhet të kalojë në bazë të meritokracisë”, tha Kryemadhi./ata