Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka shpërndarë një video me pikat kryesore të programit ekonomik.
Basha shprehet se “në zgjedhjet e ardhshme do të prezantohemi me ofertën më të mirë programore, e cila reflekton shqetësimet e të gjitha shtresave shoqërore dhe u jep përgjigje sfidave me të cilat përballet Shqipëria”.
“Programi ekonomik i Demokratëve Euroatlantikë i jep frymëmarrje biznesit, tërheq investitorët e huaj dhe krijon më shumë mirëqenie për familjet shqiptare. Me uljen e taksave sipërmarrësit mund të investojnë më shumë, duke krijuar mundësi të reja punësimi, paga më të mira dhe konsum më të lartë”, tha Basha.
Basha u shpreh se ‘vetëm kur shqiptarët do të votojnë duke parë interesin e tyre, të reflektuar në programe qeverisëse, duke refuzuar të shkojnë me fanatizëm pas idhujve të rremë, Shqipëria do të jetë një vend më i mirë, me më shumë mundësi e mirëqenie për çdo shqiptar”.
Në programin ekonomik të Demokratëve Euroatlantikë ndër të tjera theksohet se do të jetë 90% taksë e sheshtë, 9 % tatimfitimi, 9% dividenti, 0 taksë për biznesin e vogël deri në 14 milionë lekë të reja; do të ulet detyrimi që bizneset e vogla paguajnë ndaj pushtetit lokal në vlerën jo më të lartë se 1 % e xhiros ditore, etj./ata