Në Fier është drejt përfundimit rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, një investim i Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë, që do ta kthejë këtë institucion arsimor në një ambient bashkëkohor për 850 nxënësit dhe stafin pedagogjik.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu pa nga afër investimin e rëndësishëm, që po bëhet në përmirësimin e infrastrukturës arsimore në qarkun e Fierit.
“Në shtator që fillon edhe viti i ri shkollor do të jemi gati për të mirëpritur nxënësit. Është një investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe bashkisë Fier dhe në një kohë të shpejtë është bërë rikonstruksioni i shkollës, i cili kthehet në parametra bashkëkohorë duke zgjeruar jo vetëm hapësira, por edhe mjedise relaksuese, ndihmëse për stafin dhe gjithashtu edhe palestra e re, e cila është me standardet shumë të mira. Për ne investimi në objektet arsimore është një investim direkt në cilësinë e arsimimit dhe mësimdhënies”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu shtoi se rikonstruksioni është pjesë e një strategjie më të gjerë që përfshin rikonstruksionin e 6 objekteve të tjera arsimore në qark për ciklin 2024-2025, duke u përqendruar jo vetëm në përmirësimin e hapësirave fizike, por edhe në kualifikimin e mësuesve dhe përmirësimin e kushteve të punës për stafin pedagogjik.
“Për ciklin e investimeve 2024-2025 për të gjithë qarkun e Fierit do të kemi 6 objekte arsimore, që do të rehabilitohen. Nga të gjithë investimet në të gjithë në qarkun e Fierit, përfitojnë mbi 2000 nxënës, të cilët do të fillojnë vitin shkollor në kushte shumë më të mira, me standarde bashkëkohore”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu theksoi se investimi në infrastrukturën shkollore është një prioritet i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
“Ne e kemi prioritet investimin në infrastrukturën shkollore dhe jemi duke ecur me ritme të shpejta në të gjitha bashkitë. Tashmë është duke filluar puna për investimin në objektet arsimore për ciklin 2024-2025. Për këtë vit janë rreth 100 shkolla që përfundojnë dhe vihen në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve, ndërkohë që nisim dhe hapim kantiere në 40 shkolla të tjera”, tha Manastirliu./ata