Mbrëmjen e sotme nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave u përurua libri “Eksepsionalizmi Amerikan dhe Lidershipi Global i Shteteve të Bashkuara” i sociologut dhe diplomatit të njohur, Prof. Fatos Tarifa.
Në këtë promovim mori pjesë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe figura të shquara të politikës, diplomacisë, deputetë etj.
Ministri Hasani e cilësoi botimin e Tarifës një kontribut të vyer.
“Një kontribut i vyer i sociologut dhe ambasadorit Tarifa, për njohjen sa më gjithëpërfshirëse të zhvillimit të SHBA – ve nga pikëpamja sociologjike dhe historike”, u shpreh Hasani në një reagim.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se, botimi i profesor Tarifës është një libër shumë i mirë dhe shumë i dobishëm.
““Eksepsionalizmi Amerikan dhe Lidershipi Global i Shteteve të Bashkuara”. Një libër shumë i mirë dhe shumë i dobishëm, shkruar nga sociologu dhe diplomati i njohur, Prof. Fatos Tarifa, u përurua mbrëmjen e sotme nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave. Amerika u lind në liri dhe si demokracia më e madhe dhe më e fuqishme e botës vazhdon të jetë një ëndërr, një shans, një komb që zbulon vazhdimisht vetveten për të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, lirinë dhe paqen”, theksoi Nikolla./ata