Tetë bashki në Shqipëri janë përzgjedhur si territore ku parashikohen skenarët më problematikë të lidhura me ndryshimet klimatike. Gjirokastra është njëra prej tyre.
Procesi i Planifikimit Kombëtar të Përshtatjes (NAP) është një iniciativë që po zbatohet në Shqipëri nga Programi i Kombeve të bashkuara për Zhvillim (UNDP). Sipas ekspertes Laureta Dibra i gjithë procesi synon të zhvillojë një planifikim afatmesëm dhe afatgjatë të Shqipërisë për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe të adresojnë barrierat kryesore për integrimin e përshtatjes së këtyre ndryshimeve.
Në nivel lokal znj. Dibra foli për 5 skenarë të pritshëm deri në vitin 2050 e më tej deri në vitin 2100. Temperaturat do të rriten çka pritet të ndryshojë sezonalitetin e bujqësisë. rreziku nga zjarret dhe përmbytjet është gjithashtu pjesë e skenarit më kritik në luginën e Drinos dhe Vjosës. Këto parashikime kërkojnë sipas ekspertëve masa afatgjata për zbutjen e efekteve.
“Parashikohet një rritje e temperaturave që nga skenari më i mirë që merr në konsideratë zbatimin e marrëveshjes së Parisit, e çon në rritje nga 0,6-1,5 gradë deri tek skenari më i keq që çon në rritjen e temperaturës nga 2,7-4,7 gradë Celsius e flasim për vitet 2050-2100 e që janë shifra të konsiderueshme dhe po ashtu edhe niveli i reshjeve me një ulje prej 10% çojnë në problematika çka do të thotë se njerëzit duhet të fillojnë të përshtaten e të marrin masat e përshtatjes.
Ato lloj kulturash bujqësore që rritesh në sezone të caktuara e kanë ndryshuar tani kohën e kultivimit apo në sektorë të tjerë problematika që lidhen pyjet, llojet e ndryshme të bimëve, sëmundshmërinë e pemëve frutore. Të gjitha këto patjetër që ndikojnë në sigurinë ushqimore dhe në sigurinë e jetës së qytetarëve në përgjithësi“, tha Laureta Dibra-eksperte e klimës.
Bashkia e Gjirokastrës planifikon çdo vit fonde që shkojnë në funksion të emergjencave por gjatë dy dekadave të fundit prania e hapësirës së pyllëzuar është reduktuar ndjeshëm duke kërcënuar edhe jetën e egër. Zjarret dhe rrëshqitjet mbeten një kërcënim i madh gjithashtu. Një plan i detajuar ndërhyrjeje sipas znj. Esmeralda Janora nënkryetare e bashkisë i mbështetur me ekspertizë shkencore do të ishte masa e duhur në këtë moment.
“Është një dokument shumë i rëndësishëm që përmbledh të gjitha të dhënat statistikore për çdo problematikë të hasur gjatë viteve të fundit dhe një studim shumë i mirë afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë për gjithë ecurinë e bashkisë Gjirokastër, një bazë shumë e mirë për çdo program në të ardhmen”, tha Esmeralda Janora-nënkryetare e bashkisë.
Në nivel vendor, gjatë periudhës Shtator 2022-Tetor 2023 ekspertët e klimës kanë zhvilluar aktivitete trajnuese për ngritjen e kapaciteteve të stafeve të 8 bashkive. Sektorët prioritarë që pritet të ndikohen nga ndryshimet klimatike në të gjithë vendin janë bujqësia, turizmi, transporti, energjia, zhvillimi urban duke përfshirë edhe emergjencat civile./TopChannel