“Ndërtimi i Urave Lidhëse përmes Futbollit” titullohet aktiviteti i zhvilluar sot në kuadër të lançimit të strategjisë së Qëndrueshmërisë nga Federata Shqiptare e Futbollit në stadiumin “Air Albania”.
Kjo strategji paraqet planin e FSHF-së për të adresuar zgjidhjen e sfidave komplekse që mund të arrihen vetëm përmes bashkëpunimit me të gjithë aktorët në fushën e futbollit.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Drejtuesi i Qëndrueshmërisë në UEFA, Michele Uva, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, përfaqësuesi i UN ëoman në Shqipëri, Michele Ribotta, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së për Shqipërinë, Fiona Mccluney, Ambasadori i FSHF-së për përgjegjësinë sociale, Jonid Ferhati si edhe përfaqësues klubesh, përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare, gazetarë, personalitete e legjenda të futbollit shqiptar, etj.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni u shpreh se strategjia “Ndërtimi i Urave Lidhëse Përmes Futbollit” është shumë i rëndësishëm për të sensibilizuar çdokënd që t’i bashkohet iniciativave të FSHF-së për të ndikuar më përmirësimin e jetës në përgjithësi.
Duka theksoi se nëpërmjet fuqisë që ka loja e futbollit, FSHF-së do të tentojë të bashkëpunojë me të gjithë për të realizuar objektivat konkrete të kësaj strategjie.
“Dy janë çështjet kryesore të njerëzimit sot përmirësimet mjedisore dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Përmes kësaj strategjie ne jemi munduar që të bëjmë një program të përcaktuar me objektiva të qarta për të realizuar dhe për të ndihmuar në përmirësimin e këtyre çështjeve”, nënvizoi Duka.
Sipas tij, Federata e Futbollit ka bërë vazhdimisht aktivitete me përgjegjësi sociale.
“Përmes këtij aktiviteti sot, ne duam që të sensibilizojmë shoqërinë shqiptare që t’ bashkohet iniciativës tonë”, tha Duka.
Duka theksoi se “nuk jam i sigurt nëse do të fitojmë me Italinë apo nëse do të kalojmë grupin në Europian, por jam mëse i sigurt që do të realizojmë dhe do të tejkalojmë çdo objektiv që i kemi vënë vetes dhe do të ndikojmë fuqishëm për të bashkuar të gjithë faktorët në përmirësimin e jetës përmes futbollit”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, vlerësoi FSHF për nismën e ndërmarrë ku theksoi se Kombëtarja është e para që na integroi në Europë falë sukseseve në arenën ndërkombëtare dhe u shpreh besimplotë se projekti i strategjisë sociale do të ndihmojë në përmirësimin e jetesës përmes futbollit.
“Sporti në përgjithësi e futbolli në veçanti ka një rol të jashtëzakonshëm për promovimin e barazisë gjinore, në luftën ndaj steriotipeve, racizmit apo paragjykimeve. Ka gjithashtu një rol kyç në promovimin e një jetese të shëndetshme dhe larg veseve.Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe FSHF janë aleatë të natyrshëm në avancimin e prioriteteve tona të përbashkëta. Sporti shërben si një mjet i fuqishëm për fuqizimin e grave dhe vajzave”, theksoi Koçiu.
I ftuari special në lançimin e kësaj strategjie, Michele Uva, i cili mban postin e Drejtorit të Qëndrueshmërisë në UEFA, falënderoi FSHF-në dhe në veçanti kreun e këtij institucioni për iniciativën e rëndësishme dhe ftoi qeverinë dhe organizatat e ndryshme që të bashkëpunojnë me FSHF-në për të bërë të mundur përmirësimin e jetës përmes kësaj strategjie.
Koordinatorja e Përhershme e OKB-së për Shqipërinë, Fiona Mccluney theksoi se “futbolli krijon një sens komuniteti dhe përkatësie dhe i sjell njerëzit së bashku, në ndjekje të klubit të tyre të zemrës, pa dallim race, gjinie dhe statusi socio-ekonomik. Futbolli mund të luajë rol të rëndësishëm në arritjen e objektivave të strategjisë së zhvillimit të qëndrueshëm: paqe, drejtësi dhe institucione të forta”.
Ndërsa përfaqësuesi i UN Woman në Shqipëri, Michele Ribotta, tha se “bashkëpunimi me FSHF-në do të jetë i madh për të fuqizuar rolin e gruas në shoqëri”.
Ambasadori i FSHF-së për përgjegjësinë sociale, Jonid Ferhati, u shpreh se “atëherë kur mendoja se të verbërit nuk mund të luanin futboll, FSHF e mbështeti futbollin për të verbërit që 20 vite më përpara e në vazhdim. E ka mbështetur edhe në kompeticionet ndërkombëtare”./ata