Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, shprehu shqetësimin për një pushtim të mundshëm tokësor izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku janë strehuar më shumë se 1 milion palestinezë.

"Një pushtim në shkallë të plotë në Rafah do të ishte një katastrofë humanitare. Ne i bëjmë thirrje Izraelit të mos vazhdojë me këtë", tha Tedros në X, duke shtuar:

"Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të punojnë për një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme".

Deklaratat e tij erdhën pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dje u zotua se do të pushtonte qytetin Rafah, pavarësisht raportimeve për një marrëveshje të mundshme armëpushimi me Hamasin.

Netanyahu tha se ushtria izraelite do të hyjë në Rafah për të shkatërruar batalionet e Hamasit atje "me ose pa marrëveshje".

Deklaratat e tij erdhën mes raportimeve për një propozim të ri armëpushimi që po diskutohej nga Hamasi dhe Izraeli për t'i dhënë fund konfliktit në Gaza.

Izraeli ka kryer një ofensivë brutale në enklavën palestinezë që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, për të cilin Tel Avivi thotë se u vranë afër 1.200 njerëz.

Që atëherë, të paktën 34.500 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 77.600 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave.

Më shumë se gjashtë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, sipas OKB-së, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa