Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar sot ndaj qëndrimit të Bashkimit Evropian se për heqjen e masave ndëshkuese do të vendosin shtetet anëtare të unionit dhe jo politikanët e Kosovës. Ai në një postim në rrjetin social X ka bashkëngjitur fotografi të përplasjes së komunitetit serb me KFOR-in në veri, duke thënë se BE kishte vendosur padrejtësisht masa ndaj Kosovës, duke e fajësuar për zhvillimet në veri. Kryeziu ka shtuar edhe një fotografi tjetër të kryetarit të Zveçanit, Ilir Peci, i cili sot është vendosur në objektin e kësaj komune pa u penguar nga askush.

“Rasti është i thjeshtë. BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës b/c dhe na fajësoi padrejtësisht për përshkallëzimin që shkaktoi foton 1. Fotografia 2 paraqet kryetarin e Zveçanit duke dalë nga i njëjti objekt pa ndërprerje. De-përshkallëzimi ka ndodhur. Prandaj, masat duhet të hiqen”, ka shkruar Kryeziu. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se masat ndaj Kosovës janë duke vazhduar dhe se ato do të hiqen kur vendet anëtare të BE-së vendosin, dhe se një gjë e tillë nuk iu takon politikanëve të Kosovës. Reagimi i tij erdhi pas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se shteti ka përmbushur të gjitha kërkesat për heqjen e sanksioneve.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshijnë suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për MSA, mos ftesën në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). /KosovaPress/