Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) raportoi se 717 pjesëtarë të mediave janë vrarë që nga fillimi i luftës civile në Siri.
SNHR publikoi raportin me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.
Raporti thekson se shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj atyre që punojnë në fushën e gazetarisë vazhdojnë për shkak të luftës civile në Siri dhe thuhet se 717 persona që punojnë në fushën e medias, përfshirë 6 gra dhe 9 të huaj, janë vrarë që nga fillimi i luftës civile kur filloi në mars të vitit 2011.
Thuhet se regjimi i Bashar al-Asadit dhe grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani vranë 554 punonjës të medias, përfshirë 5 të huaj dhe një grua, gjatë kësaj periudhe dhe 24 persona që punonin në fushën e medias humbën jetën në sulmet ajrore ruse.
Raportohet se organizata terroriste DEASH gjatë luftës civile ka vrarë 64 punonjës të mediave, përfshirë 3 të huaj dhe 2 gra. Terroristët e YPG/PKK vranë 4 anëtarë të mediave në rajonet që pushtuan, ndërsa kundërshtarët ushtarakë dhe grupet e armatosura kundër regjimit vranë 34 punonjës të mediave, përfshirë 3 gra.
Sipas raportit, një punonjës i medias ka humbur jetën në sulmet e koalicionit ndërkombëtar kundër DEASH-it dhe 36 punonjës të mediave, mes tyre një i huaj, janë vrarë nga palë të tjera të paidentifikuara.
- 486 punonjës të medias presin të lirohen
Më tej bëhet e ditur se 1.358 punonjës të medias janë arrestuar në Siri që nga fillimi i luftës civile dhe gjithsej 486 anëtarë të mediave, 9 prej të cilëve janë gra dhe 17 të huaj, ende nuk janë liruar.
U bë thirrje që sulmet ndaj punonjësve të medias të ndërpriten dhe të arrestuarit të lirohen.
- Janë vrarë 4 punonjës të medias që i shërbenin agjencisë Anadolu
Në raport thuhet se 22-vjeçari Enes Diyab, i cili ishte gazetar i pavarur i agjencisë Anadolu (AA) në Siri, humbi jetën në sulmin ajror të Rusisë në Idlib më 21 korrik 2019.
Me fillimin e luftës civile në Siri, 4 punonjës të medias që punonin për AA dhe ofronin shërbime informacioni dhe vizual humbën jetën si pasojë e sulmeve të palëve të ndryshme.
Gazetari i AA-së në Halep, Salih Mahmud Leyla humbi jetën në një sulm me autobombë nga DEASH-i në vitin 2015.
Gazetari i pavarur Vesim al-Adil, i cili ofronte shërbime fotografike për AA-në në provincën Idlib në veriperëndim të Sirisë, humbi jetën si pasojë sulmit të kryer nga avionët rusë në vendbanimin Binin më 23 shtator 2015.
Majid Dirani, 21-vjeç, një gazetar i pavarur për AA-në, humbi jetën nga copëzat që e goditën gjatë zjarrit të hapur nga një tank ndërsa po përpiqej të regjistronte momentin e sulmit nga forcat e Asadit në lagjen Dareyya të kryeqytetit Damask më 19 shkurt 2016./aa