25 vjet më parë, në datat 25 deri më 27 mars të vitit 1999, në Krushë të Madhe, të Kosovës, nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, teksa 893 shtëpi private dhe objekte të tjera u dogjën. Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999 ndërkohë që ende vijojnë të jenë të zhdukur edhe shumë persona.

Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër 'kasapit të Ballkanit', Sllobodan Millosheviç dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë. Pavarësisht kësaj, për këtë masakër, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar për krimet e kryera në këtë fshat.
Sot mbushen 25 vjet edhe nga masakrimi i dëshmorëve dhe martirëve në fshatrat Fortesë, Brestoc dhe Celinë të Komunës së Rahovecit. Gjatë luftës së vitit 1999 në fshatin Fortesë janë vrarë nga forcat serbe 69 martirë, në Brestoc 5 dëshmorë dhe 49 martirë, ndërsa në Celinë janë vrarë 75 martirë.