Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, i është refuzuar vizita në Kosovë.

Nga kjo ministri nuk treguan arsyet e refuzimit të kërkesës për vizitë.

Më herët gjatë 3 majit, Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se Petkoviç kishte kërkuar që të vizitonte Kosovën për Pashkët Ortodokse gjatë fundjavës.

Sipas një njoftimi të kësaj zyre, Petkoviç gjatë kësaj vizite ishte paraparë të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.

“Ndonëse vizita ishte ekskluzivisht e karakterit fetar dhe përfshinte ekskluzivisht vizita në manastire dhe në vendet e shenjta të Kishës Ortodokse Serbe, në frymën e festës më të madhe për serbët, pa qëllime politike, autoritetet në Prishtinë e ndaluan vizitën e tij pa asnjë shpjegim”, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

Kjo zyrë tha se për më shumë se një vit, Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po e pengon Petkoviqin që të vizitojë serbët në Kosovë.

“Këto ndalime [të vizitave] jo që janë të pabaza, por paraqesin edhe shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe atë për vizita zyrtare, veçmas kur bëhet fjalë për kryenegociatorin në dialog nga pala serbe”.

Edhe në të kaluarën, Kosova ka refuzuar kërkesat e parashtruara nga Petkoviç për të zhvilluar vizita, duke thënë se refuzimi ishte për shkak të “deklaratave provokuese”.

Ndërkaq, në janar të këtij viti, Serbia ia refuzoi kërkesën për vizitë ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Ai kishte planifikuar që të vizitonte komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që janë të banuara me shqiptarë.

 

Çështja e vizitave zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë rregullohet përmes një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Këto vizita duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e shteteve përkatëse duhet t’i autorizojnë ato./REL