Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi të zgjerojë listën e lojtarëve nga 23, në 26 për finalet e Europianit “Gjermani 2024”.
Me anë të një komunikate zyrtare pasditen e së premtes, UEFA ka bërë me dije vendimin, që i lejon ekipet Kombëtare që do të marrin pjesë në finalet e “Euro 2024” të grumbullojnë deri në 26 lojtarë, nga 23 që ishte e lejuar.
Megjithatë UEFA shton se ky vendim nuk është i detyrueshëm, pasi ekipet finaliste do të kenë mundësi të grumbullojnë nga 23, deri në 26 lojtarë për në finalet e “Euro 2024”, sipas dëshirës së tyre.
Sipas rregullores që UEFA ka vendosur për Kampionatin Europian, lista me lojtarët e grumbulluar duhet të dorëzohet deri më datë 7 qershor 2024.
Shqipëria do ta nisë rrugëtimin në Europian më datë 15 qershor ndaj Italisë. Sfida do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”. Katër ditë më pas, më datë 19 qershor 2024 kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Europianit kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”. Ndërsa ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor 2024 në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00./ata