Në 3 qytete të vendit, Tiranë, Dibër dhe Përmet po zbatohet një projekt pilot për edukimin e qytetarëve për pagesa elektronike përmes telefonit.

Të financuar nga qeveria shqiptare, për një periudhë 4-mujore, 300 qytetarët e përzgjedhur do të kryejnë pagesa të shpejta elektronike nëpërmjet telefonit të tyre, duke skanuar kodin e tyre QR të gjeneruar nga sistemi i fiskalizimit.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj ishte në Përmet, ku dhe prezantoi projektin pilot të pagesave të shpejta.

“Nga maji deri në gusht llogaritë e 300 qytetarëve do të kreditohen në vlerën 10.000 lekë, për të kryer pagesa të shpejta për shpenzime vetjake. Ky projekt do të sjelle transaksione më të shpejta, të sigurta dhe më pak të kushtueshme për bizneset dhe konsumatorët”, tha ministrja.

Në Përmet janë 100 qytetarë që do të mund të kryejnë pagesat në mënyrë elektronike, duke skanuar kodin QR.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është të reduktojë kostot e transaksioneve digjitale, të përmirësojë përvojën e klientëve në shërbimet financiare dhe të promovojë konkurrencën në sektorin financiar, duke përparuar në të njëjtën kohë inovacionin në këtë fushë./ata