Rritja e sasisë së prodhimeve bujqësore po kërkon gjithmonë e më shumë rritjen e kapaciteteve magazinuese dhe ambalazhuese të pikave të grumbullimit.

 

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ishte në Saver të Lushnjës tek Neta për të ndjekur ecurinë e grumbullimit dhe eksportit të prodhimeve bujqësore këtë sezon.

 

“Elian Export” sh.p.k. në Lushnjë që drejtohet nga Neta është një ndër pikat e grumbullimit dhe eksportuesit më të mëdhenj të produkteve shqiptare në Evropë.

 

Në sajë të mbështetjes nga AZHBR/IPARD II u bë e mundur ndërtimi i magazinës së re me sipërfaqe 1540 m2 dhe volum 9200 m3 për grumbullimin, seleksionimin dhe tregtimin e frutave dhe perimeve. Brenda kësaj magazine janë ndërtuar dhe dhomat frigoriferike për ruajtjen e produkteve deri në momentin e eksporti.

 

“I kemi objektivat të përbashkëta me sipërmarrjet për fuqizimin e zinxhirit prodhues eksportues si një objektiv madhor i konsolidimit te sektorit”, u shpreh Krifca.

 

Ministrja tha se, ashtu sikurse të tjera sipërmarrje grumbulluese, e kemi mbështetur këtë sipërmarrje përmes programit IPARD ku sot tregtojnë më shumë se 1,300 fermerë të kontraktuar në të gjithë Shqipërinë duke i ndihmuar në shitjen e produkteve të tyre.

 

Ky investim është realizuar duke mbështetur dhe përmirësuar teknologjinë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian për përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe të sistemeve të garantimit të cilësisë./ATSH