Sot nis spektakli gjigant muzikor, Eurovision 2024. Konkursi i këtij viti do të mbahet në Malmo të Suedisë, me dy gjysmëfinale më 7 dhe 9 maj.

Shqipëria përfaqësohet me këngëtaren Besa Kokëdhima, e cila do të performojë natën e dytë të gjysmëfinales së Eurovision 2024 ku pas hedhjes së shortit, është përcaktuar se do të jetë e 6-ta në radhë, të enjten e 9 majit.

Besa Kokëdhima mori votat e publikut në Festivalin e 62-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar me këngën “Titan”.

Nga gjysmëfinalja, dhjetë finalistët vlerësohen nga vota e publikut. Votohen në dy forma: Shqiptarët që ndodhen në shtetet që janë në garë në natën e dytë gjysmëfinale mund të votojnë me kodin 02 në numrat e telefonit vendosur në dispozicion nga shteti ku ata jetojnë, nga vendet pjesëmarrëse.

Ndërsa, të gjithë shqiptarët që ndodhen kudo nëpër botë, në votimin “rest of the world”, ku mund të votohet online 24 orë përpara se të çelet votimi i online, mund të votojnë për Shqipërinë deri në 20 herë nga çdo vend i botës.

Eurovision 2024 do të transmetohet drejtpërdrejt nga Radio Televizioni Shqiptar. Vetëm 20 shtete do të zgjidhen nga dy gjysmëfinalet për të vijuar më pas në finalen e madhe që do të zhvillohet më 11 maj, të cilat do t’u bashkohen 5 shtetet e përhershme finaliste dhe vendi mikëpritës që është Suedia./ata