Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu, kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu.

Në shkresën e depozituar në Kuvend sot nga deputeti Shehu, bëhet me dije se interpelanca vjen në lidhje me platformën politike, sociale, argumentet, objektivat e qëllimet, korelacionin me Kodin e Familjes, adoptimit të fëmijëve, të drejtave të gruas e fëmijëve, mbrojtjes se shëndetit të tyre, luftën ndaj trafiqeve etj. lidhura me projektligjin “Për Shëndetin riprodhues e fertilizimin e asistuar”.

Në shkresën në fjalë, Shehu sqaron se interpelancën e kërkon për kolonat kryesore të projektligjit.

Në fund të shkresës, Shehu sugjeron tërheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë nga projektligji.

“Është një dokument diskriminues, skllavërues, larg koncepteve biologjike, në shërbim të trafiqeve kriminale, vrastar për fetusin e tentativë për shkatërrimin e kolonave tona të jetës, familjes, prindërve reale, shoqërisë vetë”, përfundon shkresa e Shehut drejtuar Kuvendit./ata